Klubi i mendimit ekonomik

Nisin punimet në rrugën Kardhiq-Delvinë. Tiranë-Sarandë 3 orë larg

Ka nisur këtë të diel ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, segment rrugor që afron akoma më shumë Tiranën me Sarandën.

Në ceremoninë e nisjes së punimeve, kryeministri Edi Rama deklaroi, se afrimi i Sarandës me Tiranën do të ketë efekt në shtimin e numrit të të punësuarve dhe rritjen ekonomike.

“Duke iu garantuar se ne do të bëjmë diferencën, do kërkojmë maksimumin e cilësisë nga kompanitë. Do shkurtohet diferenca e rrugës Tiranë-Sarandë, në 3 orë. Buxheti për rrugën Kardhiq-Delvinë do të jetë nga shteti dhe bashkëpunimi me PPP” tha Rama.

Kryeministri, theksoi, se së shpejti fillojnë pounimet edhe në akse të tjera rrugore,  projekte që do sjellin rritje të ekonomisë, punësimit dhe lëvizshmërisë.

“Së shpejt fillon segmenti Thumanë-Kashar, Milot-Balldrenë, Orikum-Llogara. Do kemi një pamje tjetër të rrugëve të Shqipërisë. Do përfshihet edhe By-passi i Tepelenës që do të integrohet në këtë rast. Edhe këtu kemi trashëguar të njëjtin problem si në rrugët e tjera, mungesën e studimit gjeologjik. Të gjitha këto do sjellin rritje të ekonomisë, punësimit dhe lëvizshmërisë” tha Rama.

Në muajin prill të këtij viti, qeveria hapi zyrtarisht tenderin për ndërtimin e rrugës Kardhiq – Delvinë.

Rruga Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi prej 34 kilometrash dhe kosto e saj llogaritet të shkojë 64 milionë euro.

Ajo është cilësuar një nga akset me prioritare që shkurton me 3 orë kohë nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshem turizmit.

Ndërtimi i këtij aksi ishte përzgjedhur në 5 veprat kombëtare që qeveria parashikonte të ndërtoheshin përmes skemes së Partneritetit Publik Privat.

Historia e ndërtimit të segmentit Kardhiq – Delvinë nis që në vitin 2008, por deri tani janë përfunduar 7.6 km nga Ura e Kardhiqit në drejtim të Fushë Bardhës (Delvinë) dhe 9.7 km nga Delvina në drejtim të Vergos (Ura e Kardhiqit).

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet