Klubi i mendimit ekonomik

Motrat Koçollari në gjurmët e të parëve të tyre gjirokastritë për gdhendjen e argjilit të polimerizuar e metalit

Androniqi dhe Ardita janë dy të reja artizane. Përkatësisht 25 dhe 28 vjeçe, të diplomuara në fakultetin e Ekonomisë për Financë-Kontabilitet, ato i japin një vlerë të shtuar prej më shumë se katër vitesh qytetit të gurtë të Gjirokastërs.

Larg zhurmave dhe dritave të metropolit, dy motrat zhvillojnë pasionin e tyre që ende nuk është kthyer në një biznes të mirëfilltë, pasi sipas tyre, duhen kaluar shumë vështirësi dhe një rrugë e gjatë që nga arti i tyre të priten fitime.

Androniqi dhe Ardita vijnë nga një familje mjeshtrash të qëndisjes së gurit. Pasioni që ato aktualisht zhvillojnë e përhapin është i trashëguar.

Disa nga mjetet e punës

Kristo, Grigor, Josif Koçollari janë emrat e të parëve të famijes së dy riosheve Koçollari që kanë punuar gurin me çekan dhe gozhdë govaçi  për të ndërtuar shumë institucione në qytetin Muze të Gjirokastrës.

Motrat Koçollari rrëfejnë për Ekonomix.al se “Mjeshtrat Koçollari, stër stërgjyshi, stërgjyshi dhe gjyshi ynë përpara më shumë se 100 vjetësh të ardhur nga Koblara e rerthit të Përmetit u vendosën në lagjen Varosh Gjirokastër dhe aplikuan mjeshtritë e tyre për të zhvilluar qytetin”.

Androniqi dhe Ardita përmes veglave të trashëguara dhe të tjerave të blera krijojnë bizhuteri me gurë të ndryshëm, argjent dhe metale të tjera. Me qasje pro natyrës, duke shfrytëuar materiale të ricikluara në fillesat e tyre, ato kanë mbetur me produktet që krijojnë edhe në mendjen e turistëve gjatë panaireve të ndryshme ku kanë marrë pjesë.

Përpos pasionit për artin e artizanit, ato janë në kërkim të punës në profesionin e tyre si kontabiliste.

 

Sabina Veizaj, Ekonomix.al

 

Kur dhe si ka nisur An’ArtKoçollari?

An’Art  është  bashkimi i emrave të dy motrave Androniqi dhe Ardita, dhe shkrirja e fantazisë,  frymëzimit, estetikës, talentit dhe dashurisë për të bukurën dhe punën e dorës.

Në Panairin e Gjirokastrës

Që në shkollë fillore na u kultivua dashuria për artin përmes aktiviteteve të ndryshme edukative dhe artistike organizuar nga motër Theofili, duke mësuar gjuhën Greke dhe njëkohësisht duke marrë mësime rreth pikturës, ngjyrave, dhe punëve të ndryshme të dorës.  Ishte pikërisht vendi ku u njohëm për herë të parë me argjilën e polimerizuar.

Vit pas viti kuptuam se ekzistonte një lidhje e veçantë mes fantazisë dhe duarve që sa vinte dhe forcohej. Përgjatë viteve të studimit për kontabilitet – financë, u përkushtuam serjozisht në pasionin e ngjizur qysh në fëmijëri. Në mënyrë autodidakte puno e mëso, dhe me ndihmën e materialeve didaktike të internetit u familjarizuam me metalin kokëfortë, telin e ashpër, argjilën e ngurtë.

Fillimisht krijuam për veten; vathë, varëse, byrzylykë, unaza, spila, e më pas për rrethin e ngushtë familjar e shoqëror.

Në vitin 2013 morëm pjesë si vullnetare në panairin kombëtar të artizanatit në Gjirokastër. Aty pamë se askush nuk krijonte me stilin dhe teknikat që ne njihnim, ndaj vendosëm të takojmë organizatorin e panairit dhe drejtorin e Fondacionit Gjirokastra, Sadi Petrelën. Ishte njeriu  më pozitiv që na inkurajoi të merrnim pjesë në panair, dhe besoi te puna jonë. Kështu në shtator të 2015-ës, An’Art u prezantua me mbi njëqind stoli artizanale të mirëpritura nga vendas dhe turistë.

 

Çfarë produktesh prodhoni konkretisht në mënyrë artizanale?

E nisëm me stoli artizanale modeste për veten me materiale të ricikluara si : tela bakri, fije deve, rruaza të ripërdorura nga bizhu të gatshme, dhe argjilë të polimerizuar.

Ndërsa nga viti 2015 gjer më sot numërohen me qindra punime artizanale të teknikave dhe materialeve të ndryshme për bizhu si më poshtë:

Vathë, varëse, byrzylykë, unaza, spila  realizuar me:  tel, me fletë metali, me tel dhe grep, me fije qëndisjeje dhe grep, me argjilë të polimerizuar. Sipërfaqet e metaleve dhe materialeve gdhenden dhe skaliten në linja të frymëzuara nga : stili klasik, modern apo abstrakt, nga arkitektura e veçantë e Gjirokastrës, përrallat dhe legjendat, nga veshjet popullore Lunxhote dhe Dropullite, nga gjeometria, antikiteti, Universi, natyra, vetë Shpirti.

 

Çfarë mjete përdorni? Ku i gjeni?

Çdo krijim i yni është artizanal në kuptimin e plotë të fjalës. Lëndën e parë bruto si : telat, fletët e metaleve, argjilën e polimerizuar i përpunojmë dhe i shndërrojmë përmes teknikave të ndryshme në stoli. Duart janë vegla kryesore që vënë në punë vegla të tjera të thjeshta.

Në fakt janë vegla burrash me përjashtim të grepit, si : çekiçi, dalta, shënjueset, limat,  të cilat i kemi të trashëguara nga  paraardhësit  tanë mjeshtër gurgdhëndës dhe patjetër vegla të reja si pinca të llojeve të ndryshme, sharra, çekiç etj.

 

Pasioni për artizanin është i trashëguar apo i edukuar?

Lindur bashkë me ne, gjeni i mjeshtërve të gurit nga Koblara, tregon se jo rastësisht erdhi në dritë arti ynë. Stër- stër gjyshi Kristo, stërgjyshi Grigor, gjyshi Josif ishin disa nga mjeshtrat më në zë të cilët me mjeshtër e ustallarë të tjerë, me çekanë dhe me gozhdë govaçi ndërtuan një sërë institucionesh dhe kilometra të tërë kalldrëmesh.  Po kaq mirënjohje meritojnë gratë e familjes sonë duar arta dhe fine. Të dalluara në rrobaqepsi, tezgjah, ornamentet e panumërta me grep dhe qëndisma! Kanë meritën e mbajtjes së traditës gjallë, përmes mësimit të brezave të rinj, neve motrave An’Art,  kanë ndikuar pozitivisht në edukimin tonë përmes traditës dhe  punës së dorës.

 

Sa ka qenë buxheti i fillimit për nismën tuaj?

Me kursime modeste në xhep dhe një listë të materialeve më të domosdoshme për panairin e pare, kemi shkuar posaçërisht  jashtë shtetit , pasi Shqipëria nuk mundëson gjetjen e materialeve të duhura.

“Lëndën e parë bruto si : telat, fletët e metaleve, argjilën e polimerizuar i përpunojmë dhe i shndërrojmë përmes teknikave të ndryshme në stoli. Duart janë vegla kryesore që vënë në punë vegla të tjera të thjeshta.

Në fakt janë vegla burrash me përjashtim të grepit, si : çekiçi, dalta, shënjueset, limat,  të cilat i kemi të trashëguara nga  paraardhësit  tanë mjeshtër gurgdhëndës dhe patjetër vegla të reja si pinca të llojeve të ndryshme, sharra, çekiç etj.’

E menduat thjesht si dëfrim, pasion, apo që në krye të herës ishit të bindura se do të ishte një biznes i mirëfilltë fitimprurës?

An’Art Koçollari lindi natyrshëm me dëshirën për të prezantuar talentin, pasionin, frymëzimin, punën e dorës. Siç dhe e përmendëm më lartë, fillimisht krijuam për njëra tjetrën e më pas dhurata për rrethin e ngushtë familjar e shoqëror. Pas tre vitesh pjesëmarrjeje në panairet e Gjirokastrës dhe Sarandës, ende nuk e shohim veten të pozicionuara në fushën e biznesit, pasi të ardhurat krahasuar me lëndën e parë dhe orët e panumërta të investuara, janë modeste. Realisht krijimet vlerësohen shumë, çdokush që i shikon shprehet me fjalët më të mira.

Panairi i parë Gjirokastër

Por duke qenë se nuk janë produkte të konsumit të përditshëm, kërkesa e tyre është sezonale. Vit pas viti e kemi shtuar gamën e modeleve, teknikave të përdorura, ndaj edhe feedback-u faleminderit Zotit ka ardhur në rritje.

 

Ku e ushtroni aktivitetin?

Kemi këndin e krijimit në shtëpi. Krijimet tona artizanale i ekspozojmë tek artdashësit në panairet Gjirokastër- Sarandë prej vitit 2015, Sadi Petrela dhe Bashkia janë mirëpritësit e Gjirokatrës dhe Shkëlqim Hajno së bashku me Sofokli Mekshin na kanë mikpritur në Sarandë ku edhe na kanë vlerësuar shumë pozitivisht me çertifikata mirënjohjeje. Gjatë periudhës tjetër të vitit në mungesë të panaireve, ekspozimi kryhet nëpërmjet rrjeteve sociale si facebook dhe instagram.

 

 

 

Ku furnizoheni me lëndë të parë?

Të gjitha materialet e përdorura janë të posaçme për krijimin e bizhuve, të një cilësie shumë konkurruese dhe i sigurojmë përmes blerjeve jashtë shtetit. Përveç kapseve hipoalergjike përdorim edhe kapëse sterling silver.

 

Çfarë target grupi keni patur parasysh kur keni nisur të krijoni produktet tuaja?

E kemi nisur krijimtarinë me dëshirën për të hijeshuar femrën, sot krijojmë për çdo grupmoshë, që nga foshnje. Me interesimin e artdashësve kemi krijuar edhe për meshkuj. Mirëpresim dëshirat dhe kërkesat e secilit për të realizuar stoli të personalizuara.

 

Cili është tregu juaj, vetëm ai shqiptar?

Ndihemi mirënjohëse  ndaj çdokujt që e ka zgjedhur punën tonë të dorës dhe ka marrë me vete nga Gjirokastra jo një suvenir kinez, por një stoli unike artizanale.

Përshtypje nga turistët

Energjia jonë më fine është për të shpërndarë realisht në të katër cepat e tokës. Pasi në panaire pjesëmarrja e turistëve vendas dhe të huaj është më e përqëndruar, madje ruajmë në një bllok mbresat e turistëve.  Kjo na lumturon!

 

 

 

 

Çfarë vlere kanë?

Krijimet tona kanë shumëfish vlerë. Janë rezultat i orëve të panumërta kokëulur , që nga konceptimi, dizenjimi, deri te realizimi dhe kombinimi i mirëmenduar i gurëve me vlerë, ngjyrave dhe formave. Disa nga gurët natyralë,energjikë, gjysëm të çmuar që përdorim janë: amethisti, agatet, kuarcet, jade, aventurini, lapis lazuli, hematite, citrina,  rodhoniti, tirkuazhi, koralet, perlat, xham artizanal, gur Murano etj.

Për të rritur rezistencën e stolive në metal, kemi bërë të mundur mbrojtjen nga oksidimi. Metale si argjendi gjerman renditen nën argjendin në boshtin e metaleve. Ndërsa gurët me të cilat punojmë i përshtatim edhe sipas shenjës së horoskopit. Na ndodh shpesh që imagjinata jonë të mos flejë edhe kur syri kërkon gjumë. hahaha

 

Artizanati është i vetmi aktivitet që keni aktualisht, apo edhe punoni?

Jemi në kërkim të realizimit personal si ekonomiste së pari, pasi kjo është fusha ku kemi investuar mes sakrificave tona dhe të familjes.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet