Klubi i mendimit ekonomik

Mos nuk po themi të vërtetën për borxhin?

Opinion nga Fatos Çoçoli

Kryeministri thotë e kemi ulur borxhin publik që kemi. Ministri i tij i Financave e konfirmon këtë. Si ekonomist do të kërceja pupthi nga gëzimi po të ishte një lajm i tillë i vërtetë, pse për ekonominë tonë publike dhe për xhepat e gjithseicilit prej nesh, një dukuri e tillë është shumë pozitive dhe zemërdhënëse.

Por disa arësye kokëforta m’i gozhdojnë këmbët në tokë. Së pari, nga vetë raportimet e Ministrisë sonë të Financave dhe Ekonomisë në paraqitjen e projekt-Buxhetit për vitin 2019, për këtë vit, pra për 2018-ën parashikohet një mosrealizim të ardhurash buxhetore në nivel 60 milionë euro, në krahasim me planin e fillimvitit.

Zakonisht një borxh ulet kur ke tejkalim të fortë të ardhurash. Kjo ndodh si për çdo familje, edhe për Buxhetin e një Shteti! Vetëm ky zë si një këmbanë alarmi, të bën mosbesues ndaj uljes reale të borxhit tonë.

Së dyti, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin për zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2017, detyrimet e prapambetura(pagesat ende të pakryera nga Buxheti i Shtetit për punë të kryera nga sipërmarrjet private) për vitin 2017 ishin 19 miliardë lekë, ose 152 milionë euro.

Këto detyrime të prapambetura nuk janë raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, por janë konsideruar si shpenzim i periudhave të ardhshme(?!), duke mbajtur artificialisht të ulët defiçitin buxhetor. Janë rreth 20 mijë fatura të parregjistruara si shpenzime të vitit 2017.

Është Ministria e Financave që u ka thënë institucioneve të tjera qendrore dhe qeverive vendore, bashkive: “Këto fatura mos i paguani tani!”, me një plan të qartë në kokë për të mbajtur shpenzimet ulur. Nëse e ulim me pahir këtë defiçit buxhetor duke i kaluar faturat për vitet e ardhshme, kuptohet që do të ulim edhe borxhin.

Së treti, detyrimi për rimbursim i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), po sipas KLSH-së, ishte për vitin e kaluar 11 miliardë lekë ose 88 milionë euro. As ai nuk është përfshirë në shpenzimet qeveritare të këtij viti ushtrimor fiskal, edhe pse TVSH-ja në shumicën e bilanceve publike në Evrope e në bote zakonisht përfshihet si shpenzim korent(i tanishëm).

Nëse shpenzimeve të deklaruara nga qeveria per vitin 2017, u shtojmë këto 20 mijë fatura të mbartura enkas për t’u shlyer më vonë dhe detyrimin e TVSH-së, atëhere defiçiti buxhetor për vitin 2017 nuk është më nën 2 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto(PBB) të vendit, sikurse “i doli” qeverisë, por mbi 3 përqind të PBB-së, pra rreth 50 përqind më të lartë!

Po ashtu edhe borxhi publik nuk është më 69.9 përqind, sa statistikat zyrtare, por 72% e Produktit të Brendshëm Bruto(PBB) të vendit. Plot 232 milionë euro më shumë! Të vjen të thuash: a mbulohet dot dielli me shoshë? A nuk po e shihni që borxhi është rritur?! Po ja që për qeverinë tonë dielli u mbuluarkëka fare bukur me disa shoshë.

Mjafton të thuash “Faturat paguajini për vitin tjetër!”, të mos rregjistrosh si shpenzim detyrimin e TVSH-së dhe pagesat e ardhshme të koncesioneve e PPP-ve, që vetëm për vitin 2019 shkojnë 25 milionë euro! Sa bukur kur matematika dhe llogjika kontabiliste u bindet interesave të ngushta politike zgjedhore(për qeveritarët, kuptohet)!

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet