Klubi i mendimit ekonomik

Ministria paralajmëron: Këtë sezon turistik me rregulla. Bizneset: Bëni investime

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka ripërsëritur paralajmërimin e saj se këtë sezon turistik nuk do të tolerohet shkelja e rregullave nga bizneset, duke cënuar mjedisin dhe turizmin. Kreu i këtij dikasteri, Blendi Klosi ka deklaruar në Konferencën Kombëtare të Turizmit, organizuar nga Unioni Turistik Shqiptar se shtimi i numrit të turistëve në vend kërkon edhe rritje të standardit në shërbime dhe mos shkelje rregullash.

“Ulja e TVSH-së për hoteleritë, bëri që ky biznes të jetë shumë më tepër edhe në atë cfarë thatë ju, më I formalizuar, më fitimprurës, por njëkohësisht të shtohen dhe detyrimet, pasi shtimi i numrit të turistëve për të gjithë ne është shtim i përgjegjësive shumë të mëdha.

Tani është e pafalshme që një hotel buzë detit të mos ketë depurimin e ujërave të zeza, është e pafalshme që një hotel që në Durrës shkon 120 deri 150 ditë turizëm , të mos ketë kushtet minimale për higjenën, qoftë edhe rreth e qark hotelit ku ai qëndron. Është e paimagjinueshme që në Sarandë , të mos ketë rregulla përsa i përket zhurmave, dhe i gjithë qyteti të jetë si një diskotekë e madhe me shumë lloje muzikash dhe nuk dëgjon asnjë muzikë”, u shpreh Klosi.

Ndërkaq operatorët turistikë dhe sipërmarrësit kërkuan nga qeveria që të marrë masa për përmirësimin e gjendjes si në turizëm, infrastrukturë, pastrim, shërbime dhe të ketë projekte konkrete, pasi konkurrenca në rajon është mjaft e ashpër. Një tjetër shqetësim sipas tyre, është niveli i ulët i shërbimeve.

“I bëj thirrje autoriteteve shtetërore që nëse vërtet kanë dëshirën dhe vullnetin e mirë për të konsoliduar një turizëm cilësor të gjejnë mënyra që të na ndihmojnë të fitojmë këtë sfidë, pasi nesër do të jetë shumë vonë”, u shpreh Rraman Kasa, kryetar i Unionit Shqiptar të Turizmit. 

Duke pranuar se problematikat janë të mëdha, ministri Klosi kërkoi më shumë bashkëpunim. “Ne duhet që të gjejmë urat e bashkëpunimit dhe të kemi mundësinë që të kuptojmë se ku jemi dhe çfarë kërkojmë.

Duhet të kemi  pararsysh që ne jemi këtu për të kuptuar se ku do shkojmë në 5,10,15 vitet e ardhshme”, deklaroi ai.
Sipas të dhënave të Unionit Turistik Shqiptar, sektori i turizmit kontribuon me afro 27 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ndërsa gjeneron me mijëra vende pune, kryesisht gjatë sezonin.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet