Klubi i mendimit ekonomik

Mesazhet e Junker, flet ish ministrja Gjosha: Përfitimet dhe kostot e hapjes së negociatave, ku jemi me ekonominë

Brukseli ka inkurajuar sërish Shqipërinë për vazhdimin e reformave, si rruga e vetme për integrimin. Këtë e bëri nëpërmjet Presidentit të Komisionit Europian, Jean- Claude Juncker, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të turit të tij ballkanik. Shqipëria synon celjen e negociatave, ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit. Por cfarë nënkupton për shqiptarët ky proces? A ka vetëm përfitime, apo edhe kosto? Sa afër apo larg Bashkimit Europian është Shqipëria? Pasi tashmë është bërë e qartë: integrimi nuk dhurohet, përkundrazi. Duhet të lodhesh për ta fituar. Të paktën për ekonominë, Shqipëria është ende në hapat e parë dhe rruga përpara nesh është e gjatë.  Ish ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha shpjegon në një intervistë për Ekonomix.al sesi duhen kuptuar mesazhet e Presidentit të KE-së, Junker, cfarë do të thotë për shqiptarët hapja e negociatave dhe ku jemi në këtë rrugëtim krahasuar me fqinjët.

 

 

Aurora Sulçe, Ekonomix.al

 

Presidenti i KE-së, Junker ka dhënë disa mesazhe dje në Tiranë. Vlerësoi progresin e bërë, por nuk dha një datë për hapjen e negociatave. Si i shihni ju këtë mesazhe?

T’iu them të vërtetën mesazhet e Presidentit Juncker ishin plotësisht brenda kornizës diplomatike por edhe terminologjisë së institucioneve të BE-së, të cilat jemi mësuar t’i shohim prej një kohë tejet të gjatë. Gjithashtu, kuptohet qe Presidenti u tregua shumë i kujdesshëm për të respektuar edhe organet vendimarrëse të procesit të integrimit, sic jane Komisioni Europian dhe Keshilli Europian.

 

Sa herë plotësojmë një kusht, vendoset një kusht tjetër. A e ka vërtet në dorë Shqipëria integrimin e saj, sic thotë vazhdimisht Brukseli apo ka një skenar të dytë, që nënkupton një qëndrim refuzues ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së?

Procesi ne vetvete është tejet kompleks, pasi ndiqen dy  rrugë paralele. E para ka të bëjë me ecurinë e refomave shtetndërtuese në vend dhe e dyta, me gadishmërinë e të gjitha vendeve anëtare në unanimitet për të avancuar me procesin e zgjerimit. Megjithatë, në vende si Shqipëria, standartet demokratike dhe funksionimi i institucioneve ligjzbatuese, të cilat kanë në dorë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, lënë shumë për të dëshiruar. Ndaj, perspektiva jonë europiane varet shumë nga vullneti ynë politik të vendosur rrënjët e shtetit të së drejtës.

 

Kryeministri Rama ka deklaruar në konferencën e djeshme për shtyp se Shqipëria në rastin më të mirë integrohet përpara Serbisë në BE dhe në rastin më të keq, në të njëjtën kohë me të. Si jemi krahasuar me vendet e rajonit në këtë proces?

Cdo vend ka specifikën e vetë në këtë proces. Nëse Shqipëria ka sfida të mëdha me reformat, shkëputjen e politikës nga qarqe të ndryshme kriminale, korrupsionin dhe te drejtat e njeriut, vendet e tjera si Serbia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia kanë probleme të theksuara me fqinjët. Probleme këto që do të duhet të zgjidhen para se atyre t’i celet drita jeshile për anëtarësim. Por nga ana tjetër, nuk mund të anashkalojmë faktin që vendet e ish Jugosllavisë kanë një epërsi të madhe ndaj Shqipërisë që ka të bëjë me eficecën e administratës publike, por edhe kulturën e të bërit shtet. Specifika këto që për Shqipërinë janë ende tejet të vështira.

 

Cfarë nëkupton për Shqipërinë hapja e negociatave. Ky proces ka përfitime apo edhe kosto?

Hapja e negociatave do të thotë përafrim i standarteve tona me ato europiane. Ka të bëjë më shumë me përafrim legjislacioni në të gjithë sektorët dhe kapitujt. Përfitimet janë të jashtëzakonshme, sidomos përsa i përket financimeve në fushat e reformave që do duhet të ndërmarrim, por edhe për faktin se fokusi do të jetë më i madh mbi ekonominë dhe përgatitjen e tregut tonë për konkurrencën e tregut europian. Patjetër që si cdo proces ka dy anë të medaljes dhe ai vjen edhe me kosto. Kosto që kanë të bëjnë si me nivelin e taksave, ashtu edhe në faktin që disa kapituj do të prekin në mënyrë të drejtëpërdrejtë disa grupe interesi. Ndoshta debati më i madh do të jetë në sektorin e bujqësisë, ku do të duhet të ndryshojnë shumë mënyra funksionimi, por edhe do të krijojë një situatë të vështirë për ata që punojnë në mënyrë individuale dhe pa standarte të certifikuara.

“Fatkeqësisht jemi ende shumë larg. Nëse flasim për vitin 2025, unë mendoj që kjo është një datë tejet ambicioze dhe e paarritshme për ne. E para sepse politikisht ne vuajmë shumë për lidera vizionar, mendje hapur dhe me kulturë shtetformuese. Nga ana tjetër, mungesa e dialogut politik sjell shumë ngërce në kapërcimin e interesave partiak dhe vendosjen e prioriteteve kombëtare mbi to. Institucionalisht gjithashtu, do të duheshin shumë vite për të pasur një administratë profesioniste dhe apolitike. Institucionet tona duhet të fillojnë te jenë jo vetëm funksionale, por edhe të gatshme t’i përgjigjen sfidave të procesit dhe të standarteve europiane.”-Klajda Gjosha

Sa gati është Shqipëria për të qenë pjesë e BE-së, parë në aspektin politik, institucional, ekonomik?

Fatkeqësisht jemi ende shumë larg. Nëse flasim për vitin 2025, unë mendoj që kjo është një datë tejet ambicioze dhe e paarritshme për ne. E para sepse politikisht ne vuajmë shumë për lidera vizionar, mendje hapur dhe me kulturë shtetformuese. Nga ana tjetër, mungesa e dialogut politik sjell shumë ngërce në kapërcimin e interesave partiak dhe vendosjen e prioriteteve kombëtare mbi to. Institucionalisht gjithashtu, do të duheshin shumë vite për të pasur një administratë profesioniste dhe apolitike. Institucionet tona duhet të fillojnë te jenë jo vetëm funksionale, por edhe të gatshme t’i përgjigjen sfidave të procesit dhe të standarteve europiane. Mos harrojmë që ne jemi ende duke ngritur institucionet bazë të një shteti, që janë ato të një sistemi të pavaruar të drejtësisë. Pa përfunduar ato është e vështirë të shohim lulëzimin e institucioneve të tjera, si ato qëndrore edhe ato të pavaruara.

Ndërsa ekonomikisht do të duhej një kohë tejet e gjatë, duke mos ditur ende se cila do të jetë zgjedhja jonë për t’u bërë pjesë e Europës së disa shpejtësive, ku bën pjesë edhe Euro. Kriteret ekonomike kërkojnë një reformim të thellë edhe të sektorit financiar, të cilat do të duhet të shoqërohen edhe me një standart tjetër pagash, që për momentin buxheti ynë, por edhe sektorët kyc të zhvillimit ekonomik në vend nuk flasin për një dritë jeshile në një të ardhme të afërt.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet