Klubi i mendimit ekonomik

Memorandumi- BERZH program kreditimi në lekë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shumë shpejt do të kreditohen në monedhën kombëtare lekë përmes një program specific që BERZH ka për këtë qëllim. Programi i BERZH-it mund të ofrojë financim për këto ndërmarrje me kushte konkurruese, sipas politikave e procedurave të saj. Gjithashtu, programi nëpërmjet koordinimit me autoritetet kombëtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në bashkëpunim me organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë financiarë, nxit një mjedis pozitiv për kreditimin në monedhën vendase. Kjo në kuadër të procesit të deuroizimit.

Gjithashtu përsa i përket zhvillimit të tregut të kapitalit, do të ketë një plan veprimi, ku palët (BERZH, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë), angazhohen për veprime të mëtejshme konkrete në këtë fushë.

Këto dy çështje mbulohen nga Memorandumi i nënshkruar sot mes Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe BERZH .

“Roli ekskluziv që Banka e Shqipërisë ka si autoritet monetar dhe mbikëqyrës mbështetet konkretisht nga kjo marrëveshje. Angazhimi i palëve për të bashkëpunuar për përshpejtimin e zhvillimit të tregut shqiptar të kapitalit, duke forcuar përdorimin e monedhës vendase, përveç punës në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe qeverisjes, si dhe zgjidhjes së çështjes së kredive me probleme, do të ketë një ndikim pozitiv në përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare, si dhe reduktimin e rreziqeve të stabilitetit financiar për vendin.” – u shpreh Guvernatori Sejko.

Ky memorandum u nënshkrua gjatë Samitit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Londër. Samiti organizohet çdo vit nga Presidenti i BERZH-it, Sir Suma Chakrabarti dhe mbledh në një tryezë diskutimi 6 kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet