Klubi i mendimit ekonomik

Luhatjet e kursit krijojnë kambistët e rinj. Agjentët e këmbimit: Ka filluar blerja e euros

Flutura Tota, Ekonomix.al

Shqiptarët nuk e shesin më euron, por po e blejnë më shumë atë. Ky është konstatimi që bëhet në pikat e këmbimit valutor në vend, aty ku çdo ditë bie niveli i shitjes së monedhës europiane nga qytetarët, të cilët duket se po studiojnë me vëmendje kursin e këmbimit valutor të euros, kurs që luhatet dita ditës.

Ekonomix.al vëzhgoi disa pika të këmbimit valutor në zonën e pallatit me Shigjeta në kryeqytet, aty ku numri i qytetarëve, të cilët shesin euron ka pësuar rënie. Ndërsa ka filluar të rritet numri i atyre që po blejnë euro, me shpresë që një ditë, monedha europiane do të forcohet sërish. Ndonëse shkëmbimet janë në vlera të vogla, aq sa të mos ndikojnë në ekulibrimin e ofertë kërkesës në tregun e përgjithshëm valutor dhe të shkaktojnë një rritje të fortë të euros, sërish tregon një tendencë. Luhatjet e kursit kanë krijuar kambistë të rinj.

Këtë e pohojnë edhe pronarët e pikave të këmbimit valutor, të cilët shprehen, se ky trend ka filluar që në muajin prill.

Kursi i këmbimit valutor ka pësuar luhatje që në muajin Janar. Por në muajin Prill euroja pësoi një rënie të theksuar. Prej asaj kohe, edhe në pikën tonë ka më pak klientë që e shesin euron dhe më shumë që e blejnë atë. Shpjegimi është i qartë: Ata po ndjekin kursin e këmbimit valutor dhe mendojnë se euroja një ditë do të rritet dhe në momenin që do e kthejnë në lekë, ata do të dalin të fituar”, shprehet një nga pronarët e një pike këmbimi valutor.

Ndërsa një tjetër, thekson se prej kohësh, në pikën e tij ka shumë klientë që shesin nga 20-50 euro. Pra, vlerë që atyre iu duhet për shpenzimet e momentit, jo si më parë.

Është vënë re, se klientët po thyejnë shuma të vogla eurosh. Variojnë nga 10,20 deri në 50 euro. Është ulur numri i personave që shesin shuma të mëdha” shprehet një tjetër pronar pike këmbimi valutor.

Ndërsa vetë qytetarët, që mbajnë familjet falë të ardhurave që vijnë nga remitancat, bëjnë të ditur, se po shesin më pak euro, pasi nga shkëmbimi valutor dalin me humbje.

Ne nuk kemi shumë të ardhura dhe jetesën e sigurojmë me paratë që na vijnë nga remitancat. Nuk kam këmbyer më euro, si më parë, pasi është forcuar leku. Këtë muaj, kam këmbyer vetëm 100 euro, nga 200 që këmbeja muajt e tjerë. Po mundohem të kursej, sepse mund të rritet vlera e saj”, thotë kështu një nga klientët që Ekonomix.al kontaktoi në njërën prej pikave të këmbimit valutor.

Rënia e euros ka nisur që prej janarit, por në dy muajt e fundit pikiata e saj ka qenë më e fortë. Këtë muaj, monedha europiane zbriti nën kuotën e 127 viteve, duke prekur edhe nivelin më të ulët të 10 vjecarit të fundit.

Ekonomix.al ka vëzhguar këtë të mërkurë kursin e këmbimit valutor në disa pika të këmbimit valutor, ku rezulton, se monedha europiane po blihet me 127.1 lekë dhe po shitet me 127.7 lekë.

Vetëm pak ditë më parë, një euro u shkëmbye me 127.3 lekë duke ndërsa aktualisht shkëmbehet me 127.7 lekë, duke u vlerësuar me 4 pikë më shumë.

Rënia e euros, është ndjerë më së shumti në muajin Maj, por ekspertët parashikojnë që, me nisjen e sezonit turistik dhe ardhjen e pushuesve, niveli i euros të bjerë akoma më shumë.

Kjo do të ndikohet nga qarkullimi i më shumë eurove në tregun e brendshëm, si pasojë e remitancave të emigrantëve por edhe i ardhjes së turistëve të huaj.

Banka e Shqipërisë ka listuar si shkaqe të rënies së vlerës së euros: prurjet e mëdha valutore, por edhe forcimin e ekonomisë. Përvec kanaleve informale, që kanë rritur sasinë e euros në qarkullim, për ekspertët, një tjetër faktor shtesë është edhe nisma e deuroizmit, e ndërmarrë nga vetë Banka e Shqipërisë, që ka ndikuar me efekt psikologjik te qytetarët.

Ministria e Financave, dy ditë më parë u shpreh kundër ndërhyrjeve në tregun e këmbimit valutor. Sipas këtij dikasteri, forcimi i lekut tregon rritje ekonomike dhe se, një situatë e tillë po ndodh edhe në rajon.

Kërkesa për ndërhyrje nga ky dikaster erdhi nga eksportuesit dhe prodhuesit shqiptarë, që iu drejtuan me letër, për të kërkuar marrjen e masave për frenimin e rënies së euros.

Në muajin Janar, një euro këmbehej me 133.6 lekë, në Shkurt këmbehej me 132.7 lekë, në Mars me 131.3 lekë, në muajin prill 129.3 lekë. Ndërsa në maj, euro zbriti në kuotën e 127 lekëve

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet