Klubi i mendimit ekonomik

Luhatjet e euros dhe mosrimbursimi i TVSH-së – Eksportuesit: Po shkatërron aktivitetin e ndërmarrjeve

Eksportet shqiptare janë në rrezik nga luhatshmëria e kursit të këmbimit dhe vonesat në rimbursimin e TVSH-së nga qeveria. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, Unioni i Eksportuesve, që përfshin sipërmarrjet fasone, eksportuesit e bimëve farmaceutike dhe mallrave të tjerë, ka deklaruar se rënia e euros ka sjellë rënie ekstreme në të ardhurat e kompanive.

Gjatë vitit që lamë pas, euro u zhvlerësua me 9% në raport me lekun, duke bërë që të bjerë fitimi i sipërmarrjeve eksportuese deri në 2/3 më pak. Ata deklaruan gjithashtu se gjatë muajve të fundit ka pasur një bllokim të rimbursimit të TVSH-së dhe për pasojë një bllokim të likuiditeteve të kompanive rieskportuese, gjë që ka sjellë probleme me tregtimin. Kjo sipas eksportuesve po shkatërron aktivitetin e ndërmarrjeve.

“Kërkojmë ndërhyrje urgjente për të stabilizuar kursin e këmbimit. Kërkojmë nga ana e Qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së sipas ligjit dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv dhe ndërmarrjeve të tjera që iu takon sipas ligjit rimbursimi i TVSH-së”, deklaroi Alban Zusi në emër të Unionit të Eksportuesve Shqiptarë.

Unioni kërkon që të ulen menjëherë në tryezën e bisedimeve brenda muajit Janar. Sipas tyre, marrja e masave për plotësimin e kërkesave të tyre është e nevojshme për të shpëtuar një pjesë të madhe të kompanive nga falimenti.

Në rast se kërkesat nuk do të merren parasysh, eksportuesit deklaruan se do të shfrytëzojnë të gjitha masat dhe format ligjore të nevojshme.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet