Klubi i mendimit ekonomik

Ligji i ri për karburantet, reagon ministria: Çmimet nuk do të rriten

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar pas shqetësimit të ngritur për rritje të çmimeve në treg, për shkak të projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, që është hedhur për  konsultim publik.

“Në ligjin ekzistues të rezervave të sigurisë, parashikohet që bizneset në disa forma duhet të kenë 90 ditë tregu rezervë sigurie.

Me çmimet e sotme të tregut, kjo rezervë sigurie është e përfshirë në kostot e tregtarëve, duke zënë minimumi 25% të kostove të produktit të blerë nga ana e tyre”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Sipas ministrisë, ajo që propozohet në ligjin e ri është që kjo kosto të ulet, sepse në totalin e rezervës së sigurisë në nivel kombëtar mund të përfshihet edhe nafta bruto, deri në 50% të rezervës. Kjo do të thotë që kostot aktuale do të ulen me mbi tre herë për këtë pjesë (50% të sasisë aktuale).

“Mënyra e operimit, e parashikuar në projektligj, duke qenë se përfshin naftën bruto, kostoja e së cilës është më shumë se 3 herë më e ulët, ul kostot e përgjithshme të bizneseve në sektorin e hidrokarbureve, subjekt këtij ligji me më shumë se 15%”, përfundon ministria.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet