Klubi i mendimit ekonomik

Ligji i ri i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tabaku: Pronarët nuk kompensohen, por mashtrohen

Ditën e sotme ish-deputetja, Jorida Tabaku, ka folur për ligjin e ri të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, përmes një deklarate për mediat.

Sipas saj, qeveria po i mashtron pronarët, pasi ata nuk do të nuk do të shpërblehen me vlerën e drejtë të saj dhe se ligji nuk e zgjidh përfundimisht problemin e pronës, por ka prodhuar një situatë më kaotike dhe se pronarët nuk do të shpërblehen me vlerën e drejtë të saj.

Tabaku theksoi se qeveria shpenzon 2.2 miliard euro konçesione, por nuk kompenson pronarët.

Ndërkaq, tabaku foli edhe për zgjidhjen që PD-ja ka menduar për zgjidhjen e problemit në lidhje me pronat.

“ Partia Demokratike beson se prona private është një nga të drejtat kryesore të njeriut. Partia Demokratike ka në planin e saj një zgjidhje afatgjatë për çështjen e pronave, duke mos i gënjyer pronarët për atë që i takon. Pasi ne besojmë që nuk mund të ndërtohet një shoqëri e shëndetshme në një tokë që i takon të zotit”-tha Tabaku.

Deklarata plotë e Jorida Tabakut:

Ashtu siç e kishim paralajmëruar, ligji i ri i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, jo vetëm që nuk zgjidhi përfundimisht problemin e pronës por prodhoi një situatë edhe më kaotike sa i takon pronarëve, të cilët falë ligjit të miratuar nga Rama, jo vetëm që nuk do të mund të gëzojnë pronën që u takon atyre, por as nuk do të shpërblehen.

Në 6 vjet kryeministri Rama dhe qeveria e tij nuk i kanë dhënë asnjë zgjidhje çështjes së pronës, përkundrazi:

– Rama që prej vitit 2014 nuk ka zbatuar vendimin pilot të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

– Nga momenti që erdhi në qeverisje, i njëjti njeri është përpjekur për të eliminuar pronarët nga kthimi dhe kompensimi fizik i pronës. Fillimisht duke marrë fondin në dispozicion për kthimin fizik duke ia dhënë Ministrisësë Bujqësisë, duke ia dhënë me 1 Euro klientëve të rradhës.

– Miratoi Ligjin për Investime Strategjike që u merr pronarëve tokën për hiçgjë për t’ia dhënë një gjoja investitori privat.

– Miratoi dy VKM të njëpasnjëshme brenda pak muajsh që i japin autoritet qeverisë që të mos ia japë pronën pronarëve.

– Vetë Rama u investua personalisht për të miratuar Ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, që bie në kundërshtim me Kushtetutën. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për plotësimin e boshllëkut të krijuar nga shfuqizimi i disa dispozitave të këtij ligji nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për më shumë se 3 vite.

Lufta e kësaj qeverie karshi pronës dhe të drejtave të pronarëve, është duke u analizuar nga PD si një shqetësim i veçantë.

Ne kemi përgatitur një informacion të plotë e të detajuar se si prona e pronarëve po grabitet me ligje të veçanta. Që nga pronat në jug e deri tek Teatri Kombëtar në mes të Tiranës, duke vazhduar me të gjitha pronat që po vendosen në dispozicion të oligarkëve dhe ndërtuesve. Rruga që ndjek Rama është e njëjtë.

Përgjatë këtyre muajve, kemi parë se si qeveria ka shpronësuar dhe ka zhvlerësuar me çmime qesharake prona në qendër të qytetit për t’ua dhënë atë oligarkëve dhe tarafit të saj.

Partia Demokratike ka parë dhe ka identifikuar me dhjetëra vendime që japin për 1 euro pronën e pronarëve të ligjshëm, të cilat do t’i bëjë publike në ditët në vijim.

Janë gjithë këto mëkate mbi shpinë, jo më larg se 10 ditë më parë, Agjencia e Trajtimit të Pronës nxori një deklaratë për shtyp ku lajmëronte pronarët se afati 3 vjeçar i vlerësimit të detyrimit financiar që shteti u detyrohet pronarëve, ka përfunduar.

Skema në kurriz të pronarëve është si vijon: nga vlera prej 4.9 mld euro, qeveria fillimisht ka vlerësuar të japë 600 mln euro, por kjo vlerë u zvogëlua deri në 3 herë me VKM në 2017 e në vijim.

Qartazi kjo mazhorancë dhe qeveri ka vullnetin politik për të shpenzuar 2.2 miliard euro për qokat koncesionare, për tendera për oligarkët, për shpenzime luksi, por nuk ka vullnet politik për të kompensuar siç duhet pronarët e tokës.

Sakaq, pronarët e tokave që enden zyrave të ATP-së në bazë të ligjit të miratuar, sot po detyrohen të firmosin kontrata për të hequr dorë nga 80% e vlerës së tyre dhe për të marrë vetëm 20% të vlerës së pronës që ata disponojnë.

Realiteti i pronarëve të tokës që enden rrugëve për hakën që u takon, është një thirrje dhe dëshmi e qartë për fasadën e kësaj qeverie.

Për këdo është shumë e qartë që një mazhorancë e cila jeton me oksigjenin që i jep krimi i organizuar, nuk mund të mendojë për pronën dhe të drejtën e saj.

Ajo mazhorancë mund të jetojë me frymën e banditëve dhe vjedhjes, atë që kanë bërë këto gjashtë vite.

Pasi duke vjedhur pronarin ajo vazhdon të vjedhë pa turp edhe pronën e përbashkët publike.

Morali i çdo vendimi të kësaj qeverie ka një qëllim; zhvatjen e pronës.

Ligji për Kadastrën që miratuan pak më parë se Presidenti ia ktheu, i jep të drejtën agjencisë shtetërore të ndryshojë kufinjtë e pronës, e papreçedentë.

Ligji për korporatën e investimeve, grabit pronat private e publike duke krijuar një fond pronash që e vë në dispozicion të oligarkëve dhe e ndan pa asnjë procedurë tenderi, pa asnjë proçedurë transparente.

VKM 708 për futjen në fondin e pronave të kësaj agjensie të çdo prone publike dhe private, shkel të drejtën kushtetuese të pronës.

Këtij imoraliteti dhe këtyre ligjeve i duhet dhënë fund.

Partia Demokratike beson se prona private është një nga të drejtat kryesore të njeriut.

Partia Demokratike ka në planin e saj një zgjidhje afatgjatë për çështjen e pronave, duke mos i gënjyer pronarët për atë që i takon.

Pasi ne besojmë që nuk mund të ndërtohet një shoqëri e shëndetshme në një tokë që i takon të zotit.

Çdo aset publik do të vendoset në dispozicion të kompensimit privat të pronarëve që do t’i jepte një zgjidhje përfundimtare ligjeve që cënojnë të drejtën e pronësisë.

Lojës së shëmtuar të pronave i duhet dhënë fund. Askush, asnjë qeveritar apo oligark, asnjë biznesmen nuk mund të pasurohet në kurrizin e një prone të mohuar për 50 vjet dhe më pas të revokuar padrejtësisht në këto 6 vjet.

Beteja jonë për të drejtat e pronës dhe pronarëve do të vazhdojë derisa atyre t’u jepet një zgjidhje e plotë dhe përfundimtare konform këshillave të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Edi Rama është njeriu i fundit që beson tek kjo e drejtë hyjnore.

Koha për Edi Ramën ka përfunduar!

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet