Klubi i mendimit ekonomik

Lejet e ndërtimit, milionat që do të përfitojnë bashkitë nga taksa që i pason

Dyfishimi i numrit të lejeve të ndërtimit në tremujorin e parë të këtij viti, një e dhënë e bërë publike një ditë më parë nga Instituti i Statistikave do të shoqërohet me të ardhura të konsiderueshme për bashkitë. Kjo pasi firmat e ndërtimit do të paguajnë taksën e infrastrukturës.

Status Raporti për Financat Publike Vendore i publikuar nga Co-PLAN tregon se taksa e infrastrukturës ka qenë zëri i dytë më i rëndësishëm që mbushi arkën e pushtetit vendor gjatë vitit 2017, me rreth 40% të totalit të të ardhurave nga taksat vendore për këtë periudhë.

“Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për gjallërim të aktivitetit ndërtues në vend, privat (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë, në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore nga rreth 455 leje të reja në vitin 2016 në rreth 819 leje të reja në vitin 2017) dhe publik (investime publike të ndërmarra nga qeveria qendrore).

Në nivel bashkie, rreth 66.9% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u regjistruan në buxhetin e Bashkisë së Tiranës (nivel ky rreth 1.6 herë më i lartë krahasuar me nivelin e të ardhurave nga kjo taksë një vit më parë)”, theksohet në raport.

Sipas INSTAT-it, dhënia e lejeve të ndërtimit ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti dhe rrjedhimisht, pritet të shoqërohet me shtim të të ardhurave për bashkitë. Por ekspertët tërheqin vëmendjen për mënyrën sesi duhen përdorur ato.

“Bashkitë duhet të bëjnë shumë kujdes me përdorimin e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Praktikat më të mira në përdorimin e kësaj takse sugjerojnë që të ardhurat e mbledhura prej saj të orientohen në investime afatshkurtra për të rehabilituar mjediset që ndikohen nga ndërtimet apo infrastruktura e ndërtuar në to dhe jo në projekte investimesh të mëdha shumëvjecare apo politika të tjera shpenzimesh, që zgjasin në kohë (p.sh subvencione për strehimin).

Kjo pasi mungesa eventuale në arkëtimet e ardhshme nga kjo taksë mund të sjellë vështirësi të konsiderueshme për bashkitë për të përballuar kontratat apo angazhimet shumëvjecare të ndërmarra pikërisht me premisën e gabuar, që kjo taksë do të vijojë të performojë sikurse ka ndodhur në vitin 2016 dhe 2017”, theksohet në raportin e Co-PLAN.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet