Klubi i mendimit ekonomik

Ku do shkojnë 10 mijë të punësuarit e basteve?

Opinion nga Fatos Cocoli, ekspert ekonomie

Të regjistruar në Shtet janë 7400 vetë, por ata kamarierë dhe regjistrues bastesh fizike që punojnë në të zezë në të 4200 pikat e basteve të vendit llogariten rreth 2500-2600 vetë.

Pra janë 10 mijë vetë që më 1 janar 2019 nuk do të mund të shkojnë në punë. Ky përbën një problem të madh social. Nuk mund të zgjidhet me ofrim trajnimesh falas të arsimit profesional, sikurse deri tani ka premtuar qeveria. Ajo ka folur dhe për masa sociale.

Por nuk ka shpjeguar cilat do të jenë ato.

Këta njerëz, edhe pse u punësuan në sektor privat, kanë të drejtën e një pakete urgjente sociale, ndoshta edhe pagesë papunësie një vit ( pra të marrin një përqindje [ndoshta 60%] të rrogës që merrnin në pikat e basteve ).

Kjo, pasi ishte Shteti ynë që toleroi një trajtim gati të privilegjuar të industrisë së lojrave të fatit, duke bërë që në gati tre vjet ( janar 2016- korrik 2018 ), numri i të punësuarve nga 4 mije vetë të arrinte në 10 mijë!

Në katër kompanitë e para të punësimit për vitin 2017, njëra ishte kompani bastesh, me 1028 të punësuar. Situata nuk është e mirë as edhe tek Buxheti i Shtetit, me mbylljen e të gjitha lojrave të fatit.

Buxheti do të humbë të ardhura deri në 39 milionë euro në vit nga tatimet që merrte, ndërsa të tre kompanitë private të liçencuara mund ta hedhin në arbitrazh ndërkombëtar Shtetin tonë, duke i kërkuar deri në 180 milionë euro dëme nga ndërprerja e aktivitetit dhe fitimi i munguar deri në vitin 2026.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet