Klubi i mendimit ekonomik

Kosova humb 10 milionë euro në vit nga moszbatimi i marrëveshjes për energjinë

Kosova vazhdon të humbë miliona euro si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes së energjisë të arritur në vitin 2015 në Bruksel. Milionat që humb Kosova i merr Serbia, pala nënshkruese e marrëveshjes, por që për gati tre vjet pengon zbatimin e saj.

Kjo bëhet me dija nga media kosovare Koha Ditore ditën e sotshme.

Për këtë arsye, citon media kosovare, përfaqësuesit e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), kanë kërkuar nga anëtarët e Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, që këtë çështje ta ngrenë në Kuvendin e Kosovës dhe të kërkojnë nga Qeveria zgjidhje sa më të shpejtë dhe të qëndrueshme të këtij problemi.

Këtë kërkesë ata e kanë bërë në një takim të zhvilluar dje me disa prej anëtarëve të Komisionit, që është organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Sipas të dhënave të KOST-it, si rezultat i moszbatimit të marrëveshjes për energjinë, Kosova humb rreth 10 milionë euro në vit. Kjo për arsyen se Operatori i Sistemit të Serbisë (Elektro Mreza Srbije- EMS) vazhdon të mbledhë të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje.

Por pak ditë më parë, një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës që nuk ka dashur të identifikohet është shprehur për KTV-në se “Ne i kemi kërkuar zyrtarit gjerman që t’ia bëjë kërkesën BE-së që të paguajë shpenzimet e energjisë në muajt e ardhshëm, derisa të gjendet një zgjidhje për bllokadën e marrëveshjes së energjisë, pasi buxheti i Kosovës nuk ka mundësi që të paguajë energjinë e shpenzuar atje. Ne kemi kërkuar që marrëveshja të bëhet sikur për telefoninë”. Ai ka bërë të ditur gjithashtu, se shpresat janë që brenda 3 muajve të zhbllokohet marrëveshja e energjisë.

Shefi i bisedimeve me Serbinë, Avni Arifi, i ka konfirmuar KTV-së se çështja e energjisë do të diskutohet në takimin e ardhshëm mes të dyja vendeve në Bruksel.

BE-ja ka konfirmuar se takimi i ri do të mbahet gjatë këtij muaji.

Marrëveshja e energjisë është një nga marrëveshjet që nuk ka lëvizur fare.

Serbia vazhdon ta bllokojë atë, duke bërë shkelje me regjistrimin e kompanisë serbe në veri të vendit.

Për të njëjtën gjë u dërgua aplikimi për regjistrim, por që i njëjti ishte në kundërshtim me marrëveshjen e arritur.

Për shkak të kësaj bllokade, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut nuk po mund të anëtarësohet në Rrjetin Evropian të Transmisionit, pavarësisht kushteve të plotësuara.

Si pasojë e këtij bllokimi, para pak ditësh, Kosova ka shkaktuar problem të madh të energjisë në të gjithë Evropën.

ENTSO-ja ka njoftuar se Kosova kishte tërhequr 113 gigavat energji më shumë sesa prodhimi i energjisë, duke shkaktuar hendek në furnizimin me energjinë.

Si rezultat i këtij veprimi, frekuenca e rrjetit europian kishte devijuar në gati gjashtë minuta.

Llogaritet se Kosovës i duhen deri në rreth 5 milionë euro për të kompensuar mungesën e energjisë.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet