Klubi i mendimit ekonomik

KLSH: Shëndetësia shumë e shtrenjtë për shqiptarët, cilësia e kujdesit shëndetësor e dobët

Spitalet janë të paakredituara

Nga Sabina Veizaj

Përtej demagogjisë së shëndetësisë falas dhe fasadave shndritëse,   çdo njëri nga ne është përballur me tablon mjeruese që të ofrojnë spitalet shqiptare sa iu brof në derë. Njerëz që presin në radhë, krevatë në koridorë, mungesë medikamentesh, etj. (kjo për spitalet publike. Ndërsa privatëve, jo  çdo kush mund t’iu afrohet në prag).

Perceptimi i qytetarëve shqiptar është që cilësia e shërbimeve shëndetësore është e ulët dhe kjo ndikon në pakënaqësinë e tyre ndaj këtyre shërbimeve, të ofruara nga institucionet shëndetësore publike.

Kjo është panorama që në mënyrë të ngjajshme është përshkruar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e dhjetorit 2017 të auditimit të  përformancës  “Kostimi i shërbimeve spitalore” për QSUT, spitalin e Shkodrës dhe atë të Vlorës.

Procedurat e zgjatura dhe me shumë hallka në sistemin e referimit për pacientët, pakënaqësia e pacientëve për cilësinë e dobët të shërbimeve shëndetësore, financimi I ulët i sistemit shëndetësor, rritja e kostove të shërbimeve në mungesë të protokolleve të miratuara, etj., përbëjnë problemet kryesore dhe tregojnë performancën e ulët të sistemit shëndetësor që janë identifikuar nga auditi i ekspertëve të KLSH-së.

 

Cilësia e ulët

Mungesa e protokolleve klinike të përshtatshme sipas praktikave më të mira reflektohet nëmënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e ulët të kujdesit shëndetësor parësor dhe rritjen e kostovefinanciare të këtyre shërbimeve. Gjithashtu dhe mungesa e akreditimit të spitaleve publike dhe jopublike, ka ndikuar në mungesën e sigurimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor, sipas standardeve të kërkuara. Hartimi dhe zbatimi rigoroz i protokolleve bashkëkohore të mjekimit kërkohet të jetë prioriteti kryesor i reformimit të sistemit të kujdesit shëndetësor. Protokollet klinike dhe procedurat standarde të punës nuk janë miratuar akoma zyrtarisht në spitalet rajonale dhe universitare, duke ndikuar ndjeshëm në keqpërdorimin dhe abuzimin me furnizimin dhe përdorimin me barna dhe materiale mjekësore.” – citohet në raportin e KLSH-së.

Kostot e larta

Rëndimi i kostove të larta në kurriz të pacientëve shqiptarë është një tjetër shqetësim që KLSH ngre në raportin e saj.

Sistemi aktual i vlerësimit të kostove për shërbimet spitalore është një vlerësim që mbart shpenzime të tepërta dhe nuk reflekton kostot e vërteta, duke orientuar kërkesat e institucioneve shëndetësore spitalore drejt vlerësimit të shpenzimeve dhe jo sipas kostove të tyre. Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare QSUT. Implementimi i paketave shëndetësore përbën një nismë të mirë për miratimin e protokolleve për këto paketa, por mënyra e vlerësimit financiar të tyre bie ndesh me ligjin e prokurimeve publike, duke rritur kostot e këtyre shërbimeve shëndetësore.”- thuhet në raport.

Sipas KLSH-së   “Formula e vlerësimit të kostove është bërë duke u bazuar në shpenzimet e QSUT-së për konsumin e energjisë elektrike, ujit, pastrimit, hotelerisë, amortizim të ndërtesës, çmimet e barnave, medikamenteve të QSUT, etj”, por që nuk është e drejtë që të aplikohen edhe për sistemin jopublik.

“Përcaktimi i kostove nga këshilli teknik për hartimin e paketave duke marrë për bazë kostot direkte dhe indirekte të QSUT nuk mund të shërbejnë si kosto referencë për institucionet shëndetësore jopublike. Në përllogaritjen e kostove të paketave bazë nuk janë përfshirë ekonomistë, si ç e parashikon ligji, por vetëm mjekë të QSUT-së”, citohet në raport.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet