Klubi i mendimit ekonomik

Jo vetëm euro, por edhe leku shqiptar falsifikohet. Ja sa është hedhur në qarkullim

Jo vetëm euro dhe valutat e tjera falsifikohen, por edhe leku shqiptar. Raste të tilla ka pasur plot gjatë vitit 2017, madje edhe me tendencë rritje. Banka e Shqipërisë ka evidentuar se në qarkullim është hedhur edhe lek shqiptar i falsifikuar, ndonëse jo në sasi të vogla kundrejt totalit të lekut në qarkullim. “Përgjatë vitit 2017, sasia e kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara, zbuluar në qarkullim, ka një tendencë të lehtë rritjeje krahasuar me vitin 2016. Krahasuar me sasinë e kartëmonedhave në qarkullim, ato mbeten në sasi krejtësisht të papërfillshme. Numri i kartëmonedhave fallco për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim ka qenë 5.7 copë kartëmonedha në vitin 2017”, theksohet në Raportin Vjetor 2017 të Bankës së Shqipërisë.

Ekspertët e institucionit mbikëqyrës bankar vlerësojnë se krahasuar me monedhën Euro, ky raport është dukshëm më i vogël. Për sa i përket strukturës, vijon të jetë e njëjta pasqyrë ashtu si vitin e kaluar, me prerjen 1000 Lekë që zë edhe pjesën më të madhe të totalit të kartëmonedhave, të pasuara nga prerjet 500 Lekë dhe 2000 Lekë.

Për sa i takon monedhave metalike të falsifikuara vijon të mbetet monedha me prerje 50 Lekë me 134 copë, e cila ka tendencë rënëse nga njeri vit në tjetrin. Nga ana teknike, kartëmonedhat kombëtare të falsifikuara riprodhohen me teknikë bazë printimi digjitale me ngjyra, të shoqëruara me aplikimin e metodave artizanale aditive për imtimin disa elementeve të sigurisë.

Banka e Shqipërisë thekson se për ruajtjen e integritetit të monedhës kombëtare në qarkullim, ka vijuar puna për rritjen dhe ruajtjen e cilësisë së monedhave. Në këtë kuadër, është përgatitur dhe miratuar për shtypje seria e re e kartëmonedhave kombëtare. Sipas BSH-së, në këtë seri është përmirësuar shkalla e sigurisë për elementet ekzistuese të sigurisë, si dhe janë shtuar elemente sigurie të reja, me qëllim rritjen rezistencës së kartëmonedhave ndaj falsifikimit.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet