Klubi i mendimit ekonomik

Investigimi: Si bëhen pazare me titujt shkencorë

Si bëhen “shkencëtare” dy gjyshe për 750 dollarë, botojnë në revista ku botojnë profesorët e njohur të mjekësisë

Taulant Muka MD, MPH, PhD- Kërkues shkencor

Esmeralda Keta, gazetare Top Show

Në revistat shkencore të rajonit mund të bësh “shkencëtare” edhe gjyshen. Dhe nuk bëhet fjalë për revista që nuk i njeh askush, por janë revista që rekomandohen nga Ministria shqiptare e Arsimit dhe madje aty botojnë edhe një pjesë mjaft e madhe e profesorëve më të njohur të botës sonë akademike.
Për të kuptuar se sa e lehtë është të botosh çfarëdolloj pune shkencore dhe pa asnjë lloj niveli në një revistë të huaj, por që më pas të jep titullin akademik “profesor”, “profesor i asociuar” apo “doktor”, gazetarja e emisionit Top Show në Top Channel, Esmeralda Keta, së bashku me shkencëtarin shqiptar jashtë vendit, ndërmorrën një investigim. Mjeku epidemiolog dhe studiuesi Taulant Muka, dërgoi një punë shkencore mbi diabetin dhe obezitetin, me të dhëna të rreme dhe përfundime që nuk mbështeten nga të dhënat e paraqitura në artikull, në 4 revista rajonale ku botojnë me shumicë edhe profesorët tanë, duke filluar që nga ata më të njohurit e deri tek më të rinjtë. Autorë të studimit ishin dy gjyshet e dr. Mukës, përkatësisht 81 dhe 86 vjeçare, me nga tre klasë shkollë secila.

Revistat ku doktor Muka dërgoi studimin e rremë ishin: International Journal of Medical Science and Clinical Intervention (me qendër në Indi), Merit Research Journal of Medicine and Medical Sciences ( me qendër në Indi), Medical Archives (me qendër ne Bosnje) dhe BANTAO Journal ( me qendër në Maqedoni) si dhe në revistën prestigjoze ne fushen e diabetit, Diabetologia, nje reviste qe publikohet nga organizata Europiane e Diabetit (EASD). Rezultatet ishin vërtetë befasuese. Tre revista kthyen përgjigje pozitive brenda javës së parë, e pranuan menjëherë punimin e rremë dhe kërkuan bërjen e pagesës që ai të mund të dilte on-line. Pagesa e kërkuar për publikimin e punimit ishte 750 USd. Njëra prej tyre, u përgjigj se do të kalonte materialin tek editori, pavaresisht se dergimi i artikullit behej vetem me email dhe jo ne faqen zyrtare sic procedura standarde kerkon. Ndersa revista prestigjoze e publikuar nga organizata Europiane e Diabetit e refuzoi artikullin brenda 24 oreve.

Doktor Muka dërgoi një e-mail edhe në “Mediterranean Journal of Social Science” per te pyetur nese artikulli i dy gjysheve të tij ishte brenda fushes se operimit te revistes dhe nese mund ta dergonte artikullin tek kjo reviste. Kjo revistë u përfshi në një skandal ndërkombëtar më 2015-ën, ndryshoi të gjithë mënyrën se si operonte me pas duke aplikuar procedura standarde, dhe ende nuk na ka kthyer nje përgjigje.

Ky është numri i ri i boshnjakes Medical Archives, ku siç mund ta shikoni në listën e gjatë të studimeve që do të publikohen, në faqen 112 gjendet edhe punimi ynë i rremë duke hedhur hije të forta dyshimi mbi vërtetësisë e titujve akademikë në vendin tonë. Nëse një profesor i njohur boton në të njëjtën revistë, ku mund të botojnë edhe dy gjyshe me tre klasë shkollë, a kemi të drejtë të dyshojmë se këtu nuk bëhet fjalë për shkencë, por vetëm pazare?

140 profesorë, botime në një revistë të rreme
Profesorët e Universitetit të Tiranës duket se i dinë mirë shtigjet se ku duhet të botojnë për të përfituar një titull akademik. Njëra prej tyre është “Mediterranean Journal of Social Science” ku profesorët shqiptarë kanë zbuluar “parajsën” e publikimeve në vitin 2012-2015, ndërsa para dhe pas kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë publikim nga autorë shqiptarë. Në 2015 kjo revistë u mbyll, pasi u zbulua se kjo revistë e rreme shërbente si trampolinë për profesorët e afrikës së Jugut. Gjatë shpërthimit të skandalit të kësaj reviste, doli në dritë se “Mediterranean Journal of Social Science” e kishte filialin në Tiranë, dhe jo ne Itali sic pretendohej ne faqen online te revistes. Pas ristrukturimit të kësaj reviste, pas vitit 2015 askush nuk ka mundur të botojë më në këtë revistë. Ndërkohë që ka profesorë që të gjitha publikimet shkencore i kanë vetëm në këtë revistë.

Skandali i kërkimit shkencor
Por çfarë ndodh me të vërtetë me punimet shkencore që të bëjnë profesor, doktor apo profesor i asociuar?
Falë teknologjisë bota akademike nuk është më e fshehtë. Mjafton të dish se ku të kërkosh. Për këtë ne iu referuam Scopus, që është databaza më e madhe e abstrakteve dhe e citimeve të literaturës kërkimore dhe që është vendosur si kriter nga Ministria e Arsimit për revistat ku botojnë profesorët.
Sipas kërkimit në Scopus pesë revistat kryesore ku publikon Universiteti i Tiranës janë: “Mediterranean Journal of Social Sciences” me 149 publikime; “Journal of Environmental Protection and Ecology” me 86 publikime; “Aip Conference Proceedings” (e cila rezulton se indekson vetëm abstrakte të konferencave dhe jo publikime aritkujsh) me 37 publikime; “Asian Journal of Chemistry” me 24 publikime dhe “Acta Crystallographica Section a Foundations of Crystallography” me 21 publikime. Këto revista shkencore kanë të gjitha faktor impakti 0 (zero) siç vlerësohet nga Thomson Reuters.


Duket se të njëjtat shtigje kanë gjetur edhe profesorët e Mjekësisë, për të cilët revistat rajonale duket se janë trampolina drejt titujve akademikë. Nga kërkimi në Scopus rezulton se 5 revistat ku botojnë profesorët e mjekësisë janë: Macedonian Journal of Medical Sciences, Medical archives (Sarajevo, Bosnia and Herzegovina), Materia socio-medica, Journal of Medical Case Reports dhe Acta Informatica Medica. Tre revista publikohen në Bosnje, një në Maqedoni dhe një nga BioMed Central (BMC) me qendër në Angli. Tre revistat boshnjake menaxhohen nga i njëjti individ/kompani. Të pesë revistat kanë faktor impakti 0 (zero).

Numri i publikimeve të Universitetit të Tiranës sipas viteve
Publikimet e këshillit të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë gjatë vieteve 2010-2018

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet