Klubi i mendimit ekonomik

Industria e plastikës, Konfindustria-Kuvendit: Mos votoni ndryshimet e propozuara në ligj, sjell faliment të kompanive vendase

Konfindustria e kërkon Kuvendit që të mos miratojë ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale për industrinë e plastikës, pasi nëse ato zbatohen, gjatë vitit 2019, do të sjellin falimentimin e kompanive në këtë sektor.

Përmes një deklarate të bërë për mediat, Konfindustria thotë, se këtë kërkesë e ka depozituar edhe zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë, pasi ai ka ndikim tëdrejtpërdrejtë të kompanive importuese të Greqisë dhe Serbisë.

“Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i aktit ligjor në fjalë, pjesë e Paketës Fiskale 2019, sjell goditjen duke filluar nga 1 janari 2019 të afër 200 kompanive të prodhimit të plastikës me pasoja:- shkatërimin e mbi 240 milion euro investime të kryera, – kalimin si të papunë deri 8 mijë puntorë të lidhur drejtpërdrejt dhe/ose tërthorazi si dhe – cënimin e rëndë të konkurencës brenda një numri të madh sektorësh të tjerë industrialë si të prodhimit të ujit, qumështit, lëngjeve, etj.

Vlerësohet, se një treg me qarkullim vjetor deri në 100 milion euro/vit rrezikon të shkatërrohet pa kthim dhe paratë e shqiptarëve do të shkojnë drejt konkurentëve rajonalë në Greqi dhe Serbi. Goditje të rëndë do të kenë edhe fermerët me taksimin për herë të parë të një grupi të madh pajisjesh bujqësore” deklaron Konfindustria.

Për Konfindustrinë, propozimi I bërë është një veprim i pashembullt dhe i vetmi rast në Rajon, ku vendoset taksë mbi lëndën e parë të prodhimit të plastikës të përdorur nga industria vendore.

“Taksa mbi lëndën e parë të prodhimit të plastikës është në masën prej 25 leke/kg. Gjithashtu, është ulur në favor të qartë të kompanive të huaja importuese taksa e “mjedisit” nga 100 lek/kg në 35 lek/kg. Me aktet e mësipërme ligjore, politika tregtare e deritashme mbi të cilën është mbështetur ndërtimi dhe funksionimi i industrisë shqiptare të plastikës, dobësohet me 10 herë në rastin e Shqipërisë, kur duhet të ndodhte pikërisht strategjia e kundërt për mbrojtjen e prodhimit vendor” thotë Konfindustria.

Konfindustria thekson, se politika tregtare e mostaksimit të lëndës së parë të prodhimeve plastike dhe taksimit të prodhimeve të gatshme plastike, zbatohet nga vetë qeveritaë e vendeve të BE dhe Rajonit si masë efektive për mbrojtjen e njëkohshme të mjedisit dhe industrive vendore.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet