Klubi i mendimit ekonomik

Grumbulluesit e fermerët kërkojnë kooperativat bujqësore: Prodhimi po shkon dëm, na duhet orientim

Flutura Tota, Ekonomix.al

Kooperativat bujqësore shihen si e vetmja mundësi për të mos çuar dëm prodhimin e kulturave bujqësore e belgtorale, por për të realizuar këtë grumbulluesit dhe fermerët kërkojnë orientim.

Sipas tyre, ky orientim do të shtynte fermerët shqiptarë, që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, për të ngritur kooperativat bujqësore, pasi aktualisht u mungon jo vetëm dëshira e vullneti, por kanë probleme edhe me pronësinë e tokës.

Për kreun e Këshillit të Agro-biznesit në Dibër, Vehap Salkurti, sot fermeri gjendet në kaos, pasi ende nuk është i orientuar sa dhe si duhet nga shteti, i cili edhe vetë ka probleme, pasi nuk u paraqet fermerëve modele se si ai mundet të fuqizohet më tej.

Salkurti, në një intervistë të dhënë për Ekonomix.al, thotë se produktet tipike të zonës së Dibrës, siç është qershia, molla, dardha apo pjeshka, rrezikojnë që edhe për shumë vite të hidhen në përrua, siç ndodhi këtë vit me qershinë, kjo jo vetëm për fajin e fermerëve, por edhe vetë shtetit.

“Ju e dini se çfarë ndodhi këtë vit me qershinë. Të jem i sinqertë me Ju, nuk e pati fajin vetëm njëra palë, por si shteti ashtu edhe fermeri. Mund të them, se fermeri dibran, por edhe ai shqiptar në tërësi, sot është i përçarë. Nuk ka vullnet të bashkëpunojë, nuk kultivon atë produkt që tregu e kërkon. Pra, në Shqipëri, aq më shumë në Dibër, kemi ferma të copëzuara dhe varietete të ndryshme produkti. Ndërsa shteti nga ana tjetër, nuk ofron modele sesi fermeri mund të fuqizohet duke prodhuar, por edhe shitur produktin e tij” shprehet Salkurti.

Nga ana tjetër, ai thekson, se prodhimi i mbledhur nga fermerët e zonës, ka shkuar dëm dhe do të shkojë edhe për shumë vite, pasi mungojnë pikat e grumbullimit ndërsa nuk po bëhet asnjë gjë për dhënien e certifikatave të pronësisë.

“Prerja e pemëve të qershive nuk është asgjë. Fermeri dibranë shumë shpejt do të përballet me një tjetër shqetësim, që do të jetë ai i mollëve. Këtë vit ka super prodhim dhe fermeri sërish do e hedhë në përrua. Unë merem me grumbullimin dhe përpunimin e frutave, por fermeri dibranë ende nuk është ndërgjegjësuar, se duhet të kultivojë produktin që tregu kërkon. Nga ana tjetër, mungojnë pikat e grumbullimit të prodhimit, por çfarë është më e rëndësishmja, mungojnë certifikatat e pronësisë, që e detyrojnë fermerin të mos ndërmarë asnjë iniciativë, e aq më keq, që të aplikojë në skemat e subvencioneve të shtetit apo Bashkimit Europian” thotë ai.

Për Salkurtin, bujqësia shqiptare do të nisë të zhvillohet vetëm kur fermeri do të ndërgjegjësohet, se bashkëpunimi në formën e kooperativave bujqësore është domosdoshmëri, bashkëpunim që e konsideron njëshin e zhvillimit të sektorit.

Për të, roli i qeverisë dhe pushtetit lokal është shumë i zbehtë, çka kërkon impenjim më serioz dhe konkret.

“Ne duam modele, modele funksionale të cilat fillimisht mund të zbatohen në disa qarqe e më pas fermerët të mësojnë se vetëm kështu mund të kenë treg të sigurtë për prodhimin e tyre. Qeveria dhe pushteti lokal duhet të bëjnë punë konkrete në këtë drejtim dhe jo fjalë boshe që nuk ndihmojnë as shtetin, as fermerin por as grumbulluesit dhe përpunuesit” shprehet ai.

Sipas ekspertëve, bujqësia, blektoria dhe turizmi mund të koordinohen dhe ndërlidhen me njëra-tjetrën, përmes krijimit të shoqërive të quajtura kooperativa.

Kjo mund të arrihet vetëm nëse një grup njerëzish mblidhen së bashku duke ndarë resurset që  disponojnë  për realizimin e një  aktiviteti fitimprurës.

Kooperativat mund të jenë: bujqësore, tregtare, shërbimesh dhe prodhimi. Ky bashkëpunim bën më  të  lehtë realizimin e objektivit fundor që  është  ai i përfitimit ekonomik.

Qeveria ka vendosur, që barra fiskale për kooperativat të jetë shumë  herë  më  e lehtë  sesa për kompanitë  normale që  të gjithë i njohim.

TVSH-ja është  “zero” për këto lloj biznesesh, deklarimi i fitimit është më pak i ngatërruar sesa ai i llojit tjetër të  bizneseve etj.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet