Klubi i mendimit ekonomik

Gati ‘lista e zezë’ e ndërtuesve, Lame: Bashkia të mos iu japë leje ndërtimi

Flutura Tota, Ekonomix.al

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale ka hartuar një listë prej 341 emrash ndërtuesisht, të cilët janë përfshirë në “listën e zezë” të saj dhe ia ka dërguar Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që kjo e fundit të mos iu japë më leje ndërtimit.

Faktin e ka bërë të ditur këtë të mërkurë, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili ka deklaruar, se asnjë subjekt nuk do të marë leje ndërtimi, pa mbyllur më parë një ndërtim që ka nisur, duke e lënë të braktisura apo në ndërtimin e sipër.

“Qytetarët u dyndën pranë sporteleve për të denoncuar apo hapur praktikën e futjes në proces legalizimi të pallateve, që zvarriteshin prej vitesh. Problemi i pallateve të braktisura i ka rrënjët çerek shekulli më parë dhe vazhdon të rëndohet.

Janë mbi 1200 objekte të evidentuara dhe në procedura. 102 pallate të legalizuara deri më sot. Në Tiranë janë 85 pallate të tjera në procedurë. Janë të shumtë subjektet që vazhdojnë të luajnë se ‘macja me miun’, duke na sjellë vërdallë si institucion.

Do fillojmë tu përcjellim bashkive listat e këtyre subjekteve, duke ju kërkuar bashkive që ata të mos pajisen më me leje pa shlyer procesin e legalizimit.

Sot do t’i përcillet Bashkisë Tiranë lista e zezë. Bllokimi i këtyre subjekteve do ndihmonte që këta persona të bëjnë sërish dëm, duke marrë të tjera leje ndërtimi” tha Lame.

Lame foli edhe për lejet e dnërtimit, ku tha, se gjysma e lejeve të dhëna nga bashkitë janë me shkelje.

“Në rang Republike gjysma e lejeve të dhëna nga bashkitë rezultojnë me shkelje.

Ky proces është një prej problematikave më të komplikuara që mund të ndeshë një administratë, pasi ka të bëjë me një mori institucionesh që duhet të japin kontribut, me banorët që duhet të bëhen bashkë, me sistemin e përmbarimin, me sistemin bankar, etj”, tha ai.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet