Klubi i mendimit ekonomik

Garanci për kreditë, skema me pikëpyetje. 90% e fermerëve pa kolateral

Flutura Tota, Ekonomix.al

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural paralajmëroi dy ditë më parë, se në dispozicion të fermerëve shqiptarë janë jo pak, por 5 milionë euro, të cilat mund të pëfitohen përmes hartimit dhe zbatimit të projekteve në këtë sektor.

Por, për Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar, nga kjo skemë mbështetje nuk përfitojnë 90% e fermerëve shqiptarë, pasi ata nuk kanë kolateral, për ta vënë në dispozicion të marjes së kredisë në banka.

Sipas kreut të këtij Këshilli, Agim Rrapaj, mënyra e vetme e përfitimit nga ky projekt, por edhe të tjera që ofrohen, është formalizimi i fermerëve, të cilët, ndonëse u ndërmor një fushatë për këtë çështje, shumica nuk janë regjistruar në organet tatimore, pasi nuk kanë mundësi që të shlyejnë tarifat që iu vendosen.

 Sipas Rrapajt, nga 354 mijë fermerë që janë në gjithë vendin, vetëm 36 mijë prej tyre janë të regjistruar dhe kanë një NIPT, që iu jep mundësinë atyre që të aplikojnë në skema të ndryshme.

 Situata në formalizimin e bujqësisë është jo e mirë, pasi kemi 354 mijë ferma, nga të cilat vetëm 36 mijë janë me NIPT.

Shumë fermerë duke qenë në punë individuale, duke marë NIPT-in ata janë trajtuar njëlloj sikur të jenë Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar.

Kanë paguar taksa, tatime, sigurime e shumë dokumenta për të bërë projektet dhe në fund nuk janë shpallur fitues në aplikimet që kanë bërë” thotë Rrapaj.

Sipas tij, domosdoshmëri është formalizimi dhe orientimi i fermerëve, pasi numri i aplikimeve vit pas viti vjen në rënie, duke qenë se ata përballen me burokraci por edhe hezititim për bashkimin e fermave të tyre.

 “Ne kemi një eksperiencë jo pozitive me disbursimin e fondeve të skemave. Nuk ka shkuar ansjëherë më shumë se 50% e asaj që është planifikuar. Zgjidhja është tek shoqëria e bashkëpunimit bujqësor.

Shumë fermerë, minimumi në 7 fermerë, duhet të bashkohen dhe të aplikojnë si SHBB. Nëse nuk aplikojnë si të tillë, ne e kemi të pamundur për të disbursuar fonde. Elementi i dytë që ka të bëjë me disbursimin është edhe aftësia e fermerëve.

Nëse do ketë veprime korruptive, nëse do iu merret bakshish që në fillim, do vihen kushte që fermerët nuk i plotësojnë dot apo do mërziten në këtë drejtim, atëherë nuk do mund të kemi aplikime” tha ai.

Lidhur me aplikimet që mund të bëhen, për të përfituar nga “Fondi i garancisë për kreditë rurale”, (RCGF) financuar nga BE, KfW dhe Qeveria e Shqipërisë me një vlerë prej 5 milionë euro te tjera, fermerët duhet të hartojnë projekte cilësore, por mbi të gjitha, të kenë koletaeral.

 “Kjo është një mundësi shumë e mirë për të përfituar. Por, që të përfitohet nga ky fond, duhet që fermerët të hartojnë projekte cilësore dhe mbi të gjitha të kenë kolateral për bankën.

Kam përshtypjen, se nga ky fond do të përfitojnë fermerët e mëdhenj, që kanë kapacitete për të hartuar projekte cilësore dhe që kanë mundësi për ti lënë peng në banka” thotë Rrapaj.

 Fondi i garancisë për kreditë rurale”, (RCGF) financuar nga BE, KfW dhe Qeveria e Shqipërisë fond gjatë viteve 2015-2017, ka dhënë rreth 1000 kredi, për një vlerë mbi 3 milionë euro.

Ky fond synon që fermerët, nëpërmjet kredive të ofruara me kushte lehtësuese, të mbulojnë pjesën e mbetur të financimit (rreth 50%), që nuk mbulohet me grantet e përfituara nga Skema kombëtare e mbështetjes financiare, e cila këtë vit kishte në dispozicion të saj 20 milionë euro. 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet