Klubi i mendimit ekonomik

Fondet e IPARD, zv.ministri i Bujqësisë tregon shumat që do të jepen. Si do të përfitohen fondet

“Shumat e përfitimit për secilën nga 3 masat e IPARD, variojnë nga 60% të investimeve në fermë deri në 500,000 euro investim, 50% të investimeve në agropërpunim deri në 2 milionë euro për investim dhe 50% të investimeve për diversifikimin e ekonomisë në zonat rurale, deri në 400,000 euro investim”.

Kjo është shuma e fondeve të IPARD të cilat janë në dispozicion të të gjithë fermerëve shqiptarë.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilir Halilaj në një intervistë të dhënë për Ekonomix.al ka bërë të ditur mënyrën sesi mund të përfitohen këto para.

Sipas Ilir Halilajt, në thelb të IPARD si kriter themelor për mbështetje ndaj fermerëve ose agropërpunuesve është përmbushja e standarteve, duke nënkuptuar standartet lokale (legjislacionin shqiptar) dhe ato të BE.

Halilaj thekson, se bëhet fjalë për masat e  investimeve në fermë, kriteret e mbrojtjes së mjedisit dhe standartet e certifikimit të prodhimit janë kryesore.

“Për masat që kanë të bëjnë me  agropërpunimin, kriteri bazë është përmbushja e standarteve të sigurisë ushqimore.  Për të garantuar plotësimin e standarteve do shërbejnë grupet teknike që do kryejnë verifikimet në terren për çdo aplikant në skemë”.

Cilët janë sektorët në fokus të këtij programi dhe sa mund të përfitojnë aplikuesit?

Sektorët që ka në fokus ky program janë ato të prodhimit dhe përpunimit të mishit, qumështit, fruta perimeve, dhe vreshtaria. Gjithashtu për masat e diversifikimit të ekonomisë në zonat rurale ka dhe sektorë të tjerë që mbulohen, si shërbimet në zonat rurale, agroturizmi dhe energjia e rinovueshme.

Cilët janë problemet që konstatohen me IPARD II dhe çfarë është bërë për përthithjen e këtyre fondeve?

Kemi bërë hapa përpara nga pikpamja strukturore për të pasur kapacitetet e nevojshme për menaxhimin e këtyre fondeve. Këto hapa jane reflektuar dhe në akreditimin që i është dhënë nga BE Agjensisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Nga ana tjetër, na nevojitet plotësimi i kritereve bazë për përthithjen e këtyre financimeve nga fermerët dhe biznesi.

Çfarë po bëni me fermerët, për të bërë të mundur shpalljen fitues në projektet që do paraqesin?

Për këtë,  kemi nisur një fushatë sqaruese dhe konsultuese me të gjitha grupet e interesit dhe aktorë të tjerë, për të rritur vizibilitetin e programit dhe për të ofruar të gjitha kapacitetet tona si ministri, për tu ardhur në ndihmë subjekteve të interesuara për aplikim.

Duhet thënë që jemi optimistë pasi kemi parë një angazhim dhe interesim të lartë nga të gjitha grupet me të cilët kemi kontaktuar deri tani.

Kjo fushatë është në vazhdim, dhe besojmë që do i’a arrijmë qëllimit që këto fonde aq të nevojshme për bujqësinë tonë të përthithen maksimalisht.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet