Klubi i mendimit ekonomik

FMN jep alarmin për krizën në Italinë. A rrezikon ekonomia shqiptare?

Italia, partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë rrezikon të përballet me një krizë të fortë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar në rënie ecurinë ekonomike të fqinjit tonë, që këtë vit nuk pritet të kalojë më shumë se 0.6%, ndërsa për periudhën në vijim, nuk pritet të rritet përtej 0.9%.

Të ardhurat për frymë në Itali kanë mbetur të njëjta me dy dekada më parë, ndërsa kushtet e jetesës janë përkeqësuar, duke rritur emigracionin në nivelin më të lartë të 50 viteve të fundit.

Një situatë që do të ketë efekte edhe në Shqipëri. Kjo për shkak të lidhjeve të forta ekonomike mes të dyja vendeve. Problemi më i madh që lidhet me vendin tonë është tregtia, nisur nga fakti se pothuajse gjysma e eksporteve shqiptare shkojnë drejt Italisë. FMN parashikon se importet do të rriten me vetëm 2% gjatë 2019-ës, duke përgjysmuar ritmin e viteve të fundit.

Një ekonomi italiane e dobët mund të ndikojë në uljen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Në fund të 2018-ës, stoku i investimeve italiane në vend arriti në 650 milionë euro, duke e renditur si vendin e pestë të origjinës.

Së fundmi, shtrëngimi i ekonomisë italiane do të prekë edhe 450 mijë emigrantët shqiptarë në këtë vend, një pjesë e të cilëve dërgojnë të ardhura për familjet, apo kryejnë investime në Shqipëri. Sipas Bankës Botërore, remitancat në vitin 2018 në Shqipëri pritet të kenë arritur në rreth 1.6 miliardë euro, e barabartë me 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet