Klubi i mendimit ekonomik

Biznesi kundër qeverisë për TVSH-në e produkteve bujqesore te autofaturuara, Zusi: Rrit evazionin dhe importet

Biznesi shqiptar dhe industria ushqimore i kanë dërguar disa letra zyrtarisht qeverisë shqiptare, në të cilat kundërshtojnë uljen në 6% të TVSH-së për produktet bujqësore te autofaturuara, nismë që Ministria e Financave e ka përfshirë në paketën fiskale 2019.

Kryetari i Qendrës së Eksporteve, Alban Zusi ka deklaruar në A2 Business të Aurora Sulçes se një nismë e tillë do të nxisë evazionin, do të shtojë produktet e importit në treg dhe fut në kolaps sektorin.

“Sidomos industritë, të cilat burimin e tyre kryesor kanë produktin vendas, nuk do të kenë më mundësi ta marrin këtë produkt, ose do ta marrin atë me një kosto 14% më të lartë, sepse kostoja e tregtimit është 20%, ndërsa kostoja e autofaturimit është 6%. Do të ketë evazion, sepse për të eliminuar këtë lloj taksimi pastaj, do të fillojnë të përfitojnë sektorët dhe operatorët evazionistë.

Do të ketë edhe rritje të importeve të produkteve ushqimore, sepse të gjithë rrjetet e supermarketeve, të cilët operojnë në rrugë formale, nuk do të kenë interes të blejnë produktet e fermerit vendas, por do të blejnë produktet e importuara ku e marrin TVSH-në e plotë 20%”, deklaroi Zusi.

Duke analizuar ecurinë e eksporteve në bujqësi, të cilat vitet e fundit janë rritje, Zusi thotë se zbatimi I uljes së TVSH-së do të frenonte këtë trend dhe do të penalizonte prodhimin vendas bujqësor.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet