Klubi i mendimit ekonomik

Ekspertët rendisin shkaqet e pagave të ulëta: Taksat dhe ekonomia e dobët

 

Intervistë me Edison Hoxha, përfaqësues i Qendrës për të Drejtat në Punë

Shqiptarët paguhen pak për punën që bëjnë, e një pjesë e tyre kanë edhe kushte jo të përshtatshme pune. Një realitet që reflekton, jo vetëm nivelin ende të ulët të zhvillimit të një pjese të biznesit, por edhe ekonomisë në tërësi.

Ekspertët mendojnë se niveli i ulët i pagave (të dhënat e Institutit Europian të Statistikave e rendisin Shqipërinë në vendin më pagën minimale dhe mesatare më të ulët në rajon) është pasojë edhe e politikave fiskale të qeverisë. E thënë ndryshe, të ardhurat nga paga ose fitimi nga krahu i punës taksohen më shumë sesa kapitali, ose ndryshe fitimi i biznesit.

Një situatë që sipas ekspertëve duhet të ndryshojë, së bashku me disa masa të tjera që duhen ndërmarrë për të siguruar një rritje periodike dhe të qëndrueshme të pagave në Shqpëri, si në sektorin shtetëror, ashtu edhe në atë privat.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagës minimale dhe mesatare në Evropë, sipas të dhënave të EUROSTAT-it. Cilët janë faktorët që kushtëzojnë një nivel të tillë pagash?

Në një këndvështrim të përgjithshëm niveli i pagave kushtëzohet nga shkalla e zhvillimit ekonomik. Pa një zhvillim të qëndrueshëm, domethënës ekonomik dhe sa më gjithëpërfshirës nuk mund të pretendohet rritje e kënaqeshme dhe e vazhdueshme page në cdo sektor.

Niveli i pagave varet edhe nga mënyra e taksimit të saj. Taksimi i punës (sidomos për qeveritë e majta) duhet të jetë gjithmonë më i ulët se taksimi i kapitalit, gjë që në Shqipëri nuk ndodh kështu, për sa kohë, sidomos pagat e mesme dhe të larta taksohen jashtëzakonisht shumë, duke pasur parasysh që taksimi shkon deri në 23%, për t’i shtuar këtu edhe taksimin TAP (tatimi mbi të ardhurat personale) për personat që kanë dy ose më shumë paga që taksohen dyfish.

Sa më i lartë taksimi i pagës, aq më shumë do të gjenden mënyra për t’i kanalizuar të ardhurat në mënyra të tjera, jo si page.

Në një këndvështrim tjetër, paga është interesi i drejtpërdrejtë dhe më kryesori  i punonjesve.  Ligjërisht, paga sidomos në sektorin privat, por jo vetëm, është rezultat i drejtpërdrejtë i negociatave midis punëdhënësit dhe përfaqesuesit të punëmarrësit.

Sa më të aftë dhe sa më të organizuar të jenë punëmarresit për të negociuar dhe për t’iu imponuar punëdhënësit kur negociojnë për pagën (sidomos kur negociojnë kontratën kolektive të punës), aq më i lartë do të jetë niveli i pagave dhe aq më shumë do të rritet ai në vazhdimësi dhe në mënyrë periodike.

Në rastin tonë, meqënëse kemi të bëjmë me një nivel organizimi të punëmarrësve në nivele të papërfillshme, atëherë dhe ky është një faktor që ndikon negativisht në nivelin e pagës.

Në sektorin publik, ky faktor është më pak i ndjeshëm, pasi në këtë sektor, përkundër ndodh në sektorin privat, ka një instrument të rritjes së pages “me urdhër nga lart”. Dmth, vetë instancat shtetërore vendosin periodikisht të rrisin pagën në përgjithësi, përfshi edhe pagën minimale që ndikon edhe në sektorin privat, gjithashtu.

Pikërisht për të rritur ndërgjegjësimin për rolin e faktorit te fundit, ne si CLR kemi ndërmarrë së fundmi një iniciativë për të studiuar nivelin e kontratave kolektive në Shqipëri, pasi pikërisht rezultati inegociatave punëdhënës- punëmarrës për pagat materializohet në kontratën kolektive që nënshkruhet mes palëve.

Cilat janë industrië më problematike përsa i përket nivelit të ulët të pagave?

Fasoneria është ndër më të prekurat, ku realisht paga minimale në raport me oret e punëve që punonjësit kryejnë shkon edhe poshtë minimales së detyrueshme.

Sektorët e shërbimeve (bar, restorant hoteleri, dyqane shërbimesh të ndryshme) paga është tejet minimale dhe ka informalitet të lartë.

Sektori shëndetesor publik mendoj se gjithashtu, ka paga të ulëta për natyrën e punës që kryejnë (prandaj kemi edhe largime masive nga ky sektor jashtë vendit). Por meqënëse ata që punojnë aty kanë edhe burime të tjera të ligjshme ose jo, kjo gjë nuk ndihet shumë.

A ka një korelacion mes kushteve të punës dhe nivelit të pagave?

 Nga këndvështrimi i punëdhënësit ka korelacion, pasi rritja e kushteve të punës sjell rritjen e kostove dhe kjo ndikon negativisht në rritjen e pagës.

Megjithatë, ky nuk është rregull absolut, pasi kemi sektorë në të cilët kjo gje ndihet më shumë (fason psh), ndërkohë që kemi sektorë të tjerë, ku standardet e punës janë të larta, ndërkohë që edhe pagat po ashtu.

Për cfarë janë më të interesuar punonjësit shqiptarë: për kushte pune apo për pagë?

Punonjësit shqiptarë janë të interesuar për të dyja, por kur i vë përpara alternativës për njerën apo tjetrën, ata në disa raste sakrifikojnë të parën.

Megjthatë, ne si CLR kemi vënë re se kultura e respektimit të rregullave në punë, edhe tek punonjësit që u garntohet kjo gjë është shumë e ulët dhe në shumë raste ka neglizhencë në përdorimin e mjeteve që garantojnë sigurinë në punë dhe për fat të keq në disa raste, si rezultat i kësaj pakujdesie ka pasur edhe pasoja fatale, sidomos në ndërtim dhe në minera.

Cfarë masash mund të merren për të nxitur rritjen e pagave në Shqipëri?

– Zhvillim ekonomik sa më i lartë (mundësisht me dy shifra) i qëndrueshëm dhe sa më gjithëpërfshirës.

– Rishikim i nivelit të taksimit për pagat, duke taksuar më shumë kapitalin se pagën.

– Rritjen e aftësive  për të negociuar dhe organizimit kolektiv të punonjësve, me qëllim që të jenë të aftë të negociojnë apo t’u imponohen punëdhënësve me mjete sindikale, që këta të fundit të rrisin pagat në mënyrë të arsyshme, të qëndrueshme dhe periodike.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet