Klubi i mendimit ekonomik

Ekonomia e cash-it, shqiptarët i bëjnë pagesat me lek në dorë

Ekonomia shqiptare mbetet e orientuar nga cash-i. E thënë ndryshe, ne vazhdojmë të blejmë dhe të shesin me para në dorë.

Kjo edhe pse 16 banka tregtare ofrojnë shërbimet e tyre në Shqipëri, mes të cilave 14 banka të licencuara si emetuese kartash, 9 nga të cilat janë të licencuara edhe si pranuese kartash.

Banka e Shqipërisë ka konstatuar në raportin vjetore 2017 se përsa i përket transaksioneve me para fizike (cash) të kryera nga klientët në sportelet e bankave, në këtë peridhë vihet re një ulje në numër krahasuar me një vit më parë.

Përkatësisht këtë vit është shënuar një ulje e lehtë e transaksioneve në arkë me 5.48% në terma të numrit dhe një rritje e lehtë me 0.82% në terma të vlerës, krahasuar me një vit më parë.

“Pavarësisht uljes së përdorimit të parasë fizike nga perspektiva e tërheqjeve dhe depozitimeve në sportelet e bankave në vitin 2017, përdorimi i parasë fizike në ekonominë shqiptare është një fenomen mbizotërues, i cili mbart kosto të larta për aktorët e ndryshëm dhe ekonominë në përgjithësi.

Në këtë kuadër, bashkërendimi i përpjekjeve në nivel tregu për nxitjen e përdorimit të instrumenteve sa më efikase dhe me kosto të ulëta paraqesin një rëndësi të veçantë dhe përbëjnë një nga prioritetet e Bankës së Shqipërisë”, theksohet në raport.

 

Kartat bankare

Në Shqipëri kartat bankare përdoren ende pak. Kjo edhe pse infrastruktura për përdorimin e tyre nga ana e sistemit bankar është zhvilluar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit 2017, vërehet një rënie e numrit dhe e vlerës së pagesave me karta në POS-e fizike dhe virtuale, përkatësisht me 7.8% dhe me 24.9%.

Në terma relativë, pagesat e kryera me karta të parapaguara arrijnë deri në 8.37% të pagesave me karta debiti dhe krediti dhe krahasuar me vitin e kaluar kemi një rritje të pagesave me këto karta prej 18.47%. “Përdorimi jo i lartë i kartave, si mjet pagese reflekton nivelin e familjarizimit të publikut, edukimin e ulët financiar, si dhe infrastrukturën e kufizuar të POS-eve nga ana e bizneseve”, theksohet në raportin e BSH-së.

Për sa i përket infrastrukturës së ofruar nga bankat e licencuara si emetuese kartash dhe atyre të licencuara si pranuese kartash, rezulton se në fund të vitit 2017, numri i terminaleve POS ka shënuar një rritje prej përkatësisht 2.57%, ndërkohë që numri i ATM-ve ka pësuar një rënie me 6.63% krahasuar me vitin 2016.

Pavarësisht prirjes pozitive të shtimit në numër të terminaleve POS, vlen të theksohet se përqendrimi i tyre vijon të jetë i lartë në qarkun e Tiranës, në masën 85.95%. Gjithashtu, në këtë kuadër, vlen të theksohet se numri i POS-ve për 1.000.000 banorë rezulton në 2.541, çka paraqet nivelin më të ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet