Klubi i mendimit ekonomik

Edukimi financiar, Ahmetaj: Sjell mirëqënie, përmbush misionin e Bankës Qëndrore

Flutura Tota, Ekonomix.al

Edukimi financiar është thelbësor jo vetëm për mirëqënien e vendit, por edhe parakusht për përmbushjen e misionit të Bankës Qëndrore, ndaj është me shumë rëndësi për sistem financiar të shëndetshëm.

Kështu ka deklaruar këtë të premte, zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, në një forum të organizuar për edukimin financiar nga Shoqata Shqiptare e Bankave.

Sipas Ahmetajt, edukimi financiar ndikon për një prosperitet ekonomik afatgjatë.

“Aktiviteti i Bankës së Shqipërisë për edukimin financiar të publikut fillon me synimin për ta zhveshur bankën nga tisi i misterit që e ka rrethuar historikisht aktivitetin real të një banke qendrore. Në këtë mënyrë, ajo synon të ndërtojë dhe forcojë besimin që publiku ka tek vendimet dhe veprimet e saj. Edukimi financiar, si çdo edukim i qëndrueshëm, ka nevojë për sa më shumë literaturë e materiale didaktike, por që të jenë së pari lehtësisht të kuptueshme për mësuesit.

Procesi i edukimit të publikut është shumë i rëndësishëm për vetë Bankën Qendrore.  Përmes edukimit financiar të publikut, Banka e Shqipërisë e ka më të lehtë të komunikojë në mënyrë të kuptueshme vendimet e politikes monetare, veprimet e mosveprimet, qëllimin dhe strategjinë për arritjen e tij. Vetëm përmes këtij edukimi, publiku ndërton besimin tek banka qendrore dhe kupton pse stabiliteti i çmimeve, që përbën objektivin parësor të saj, është në fund të fundit një e mirë publike.

Nëse përfshirja financiare vjen duke u përmirësuar, do të thotë se publiku po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e sistemit financiar, po përdor produktet e tij, po jep kështu kontributin e tij për zgjerimin e ndërmjetësimit financiar.  Edukim financiar do të thotë rritje e mirëqenies për të gjithë. Kjo do na bëjë të gjithëve më aktivisht të përfshirë në këtë proces” theksoi Ahgmetaj.

Gjatë forumit, shoqatat përfaqësuese të institucioneve financiare në vend nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, për krijimin e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet