Klubi i mendimit ekonomik

Edhe Guvernatori kërkon kujdes me borxhin. Të kontabilizohen kostot e koncensioneve

Pas opozitës, edhe Banka e Shqipërisë apelon për kujdes me borxhin publik. Guvernatori Gent Sejko foli sot në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për projektbuxhetin 2019. Ai dha këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë për draftin më të rëndësishëm të financave publike, duke kërkuar kujdes me treguesin e borxhit.

Nevoja për përmirësimin e strukturave dhe strategjive të administrimit të borxhit publik bëhet edhe më emergjente po të marrim parasysh dy trende të rëndësishme.”, u shpreh Sejko.

Guvernatori iu referua tendencës së rritjes së peshës së borxhit të financuar me kushte tregu ndaj peshës së borxhit të marrë me terma koncesionarë, e cila sipas Sejkos, e kspozon gjithnjë e më shumë nivelin dhe strukturën e borxhit, si dhe shëndetin e financave publike shqiptare, ndaj vëmendjes së tregjeve financiare ndërkombëtare.

Së dyti, financimi i borxhit gjatë viteve të fundit ka përfituar nga një ambient tejet i favorshëm, në terma të normave të ulëta të interesit, si në tregun e brendshëm dhe në atë të huaj financiar. Përmirësimi i vazhdueshëm i ekonomisë evropiane dhe asaj shqiptare nënkupton që këto norma interesi do të vijnë drejt rritjes, në linjë dhe me komunikimet respektive të bankave qendrore.”, u shpreh guvernatori.

 

BSH për projektbuxhetin 2019

Kreu i Bankës së Shqipërisë ka vlerësuar projektbuxhetin 2019 dhe ndikimin tek ekonomia. Sipas Gent Sejkos, ëhstë element i rëndësishëm niveli i invetsimeve publike sa 5.1% të PBB-së. “E parë në prizmin e zhvillimit afatgjatë të vendit, si dhe të nevojave të mëdha që kemi për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës, Banka e Shqipërisë e konsideron ruajtjen e nivelit të lartë të investimeve publike një element të rëndësishëm të çdo Projektbuxheti”, u shpreh Sejko.

Sipas guvernatorit, paketa fiskale, që shoqëron projektbuxhetin, nuk parashikon ndryshime rrënjësore në sistemin tatimor. “Në veçanti. Banka e Shqipërisë konstaton se reduktimi i propozuar i taksës mbi dividendin, nga niveli 15% në nivelin 8%, krijon premisa për uljen e kostos së financimit me kapital për bizneset shqiptare.

Ky reduktim i shërben potencialisht nxitjes së investimeve vendase dhe të huaja, si dhe ndihmon në përmirësimin e strukturës dhe rritjen e qëndrueshmërisë së bilancit të bizneseve, duke rritur peshën e financimit me kapital dhe duke ulur peshën e financimit me fonde të marra hua”, tha kreu i BSH-së.

Ai vlerësoi draftin e qeverisë edhe për vijimin e luftës ndaj informalitetit. Banka e Shqipërisë ka mbështetur dhe mbështet çdo nismë, që promovon konkurrencën e ndershme në ekonomi.

Këto nisma nuk sjellin vetëm shëndoshjen e bilancit të sektorit publik, por prezantojnë dhe stimujt e duhur për rritjen e eficiencës në sektorin privat dhe sigurojnë një shpërndarje më të mirë të burimeve në ekonomi”, tha Sejko.

Projektbuxheti 2019 do të diskutohet në komisionet parlamentare edhe gjatë kësaj jave. Të martën është parashikuar diskutimit për PPP-të me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet