Klubi i mendimit ekonomik

Dy herë në javë fruta të stinës në shkolla, ja projekti i qeverisë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim edhe me dikastere të tjera, kanë nisur së zbatuari një projekt, përmes të cilit, syhohet që për fëmijët e disa shkollave të jepen dy herë në javë fruta të stinës.

Sipas qeverisë, këto fruta do t’u ofrohen fëmijëve falas, falë projektit “Fruta të freskëta në shkollë”,  që nisi fillimisht me shkollën 9-vjeçare “24 Maji” në Vlorë, dhe që më pas do të marrë shtrirje në të gjithë vendin.

Ky projekt synon ndërgjegjësimin e fëmijëve të grupmoshave 7-15 vjeç, në konsumin e frutave të freskëta në jetën e tyre tyë përditshme.

“Ky projekt fillon sot në këtë shkollë, në fakt dhe në dy të tjera të qytetit të Vlorës, për të vazhduar pastaj mundësisht në gjithë Shqipërinë.

Ne prodhojmë, ne nuk bëjmë vetëm politika apo zhvillimi të bujqësisë, por dhe prodhojmë në fakt përmes qendrave tona të transferimit të teknologjive bujqësore, një prej tyre është në Vlorë, kemi 5 në gjithë Shqipërinë, prodhojmë dhe fruta të ndryshme, perime, bëjmë punën shkencore etj.

Një pjesë të këtij prodhimi ne do ta vëmë në dispozicion të programit, që synon fruta për nxënësit në shkollë, të paktën 2 herë në javë, për gjatë sezonit, pra frutat e sezonit, natyrisht falas për të gjithë fëmijët” ka thënë ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi.

Sipas Peleshit, siguria ushqimore duhet të jetë në qendër të vëmendjes të gjithëve dhe se ajo është shumë e rëndësishme veçanërisht për brezin e ri, nga i cili nis dhe edukimi për një jetë të shëndetshme dhe më rezultative.

“Duam të sjellim në vëmendjen e komunitetit gjithmonë e më shumë këto tematika, që në fakt kanë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë. Sepse e ardhmja e Shqipërisë janë këta fëmijë. Këta janë ata që do ta trashëgojnë punën, që ne po bëjmë sot. Të jetë një brez që të edukohet me respektin për veten në rradhë të parë, për shëndetin, për shëndetin publik, për mendje të shëndetshme, për më shumë cilësi ushqimore, për më shumë siguri ushqimore” ka thënë ai.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet