Klubi i mendimit ekonomik

Drejt BE-së, integrimi që kalon edhe nga ekonomia

 

Aurora Sulçe, Ekonomix.al

 

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ka qenë thirrja e hershme e shqiptarëve në vitin 1990, kur u bë edhe ndryshimi i sistemeve qeverisëse. 28 vite më pas, ne ende kërkojmë të bëhemi si Europa, ose më saktë të bëhemi pjesë e familjes së madhe europiane: Bashkimit Europian. Një proces që duhet bërë në disa drejtime dhe që nuk po rezulton i lehtë. Sot, kur flitet për mundësinë e hapjes së negociatave, Shqipëria ka sfida me reformën në drejtësi, vetingun, korrupsionin, funksionimin e institucioneve. Sfidë e mëdha është edhe ajo e ekonomisë, edhe pse për momentin, duket se ka kaluar në plan të dytë. Ekonomikisht, a jemi afër apo larg Shqipëria nga Bashkimin Europian?

Tregtia me vendet e BE-së

Shqipëria realizon sot pjesën dërrmuese të shkëmbimeve tregtare me vendet e Bashkimit Europian. Kjo vlen si për importet, ashtu edhe eksportet. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në janar të këtij viti, shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zinin 67.1 %, të gjithë tregtisë. Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Europian përbënin 81.5 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zunë 59.5 % të totalit të importeve. INSTAT konstaton se tre nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë janë vende të BE-së, si Italia, Greqia dhe Gjermania. Kështu, partnerët kryesorë të vendit tonë në janar 2018 janë: Italia me 35.6 % të totalit të shkëmbimeve tregtare, Greqia me 7.2 për qind, Kina me 6.7 % dhe Gjermania me 6.2 % të totalit të import-eksporteve që ne realizojmë.

Investimet e huaja nga vendet e BE-së

Vendet e Bashkimit Europian rezultojnë të jenë edhe në listën e invetsitorëve kryesorë të huaj të Shqipërisë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, në 28 vitet e fundit, investitori kryesor i Shqipërisë është Greqia me 25% të totalit të investimeve të huaja. Italia është gjithashtu një investitor i rëndësishëm me 11% të totalit. Nga ky vend kanë origjinën një numër i madh fabrikash dhe ndrëmarjesh, kryesisht në fason dhe call center. Austria është një tjetër investitor i rëndësishëm i Shqipërisë, me 8% të totalit të investimeve të huaja.

Vendet e zhvilluara europiane e kanë bërë tashmë të ditur qëllimin e tyre për të investuar në Ballkanin Perendimor, duke e parë si një rajon me potenciale të pashfrytëzuara. Shqipëria, si pjesë e kësaj zone është në garë për thithjen e këtij kapitali edhe me vende të tjera fqinjë, kryesisht me Serbinë dhe Maqedoninë.

Fondet e BE-së për bujqësinë

Tahsmë prej disa vitesh, Bashkimi Europian jep fonde për bujqësinë për të gjitha vendet që janë në rrugën e integrimit. Ajo që synohet nëpërmjet këtyre financimeve është zhvillimi i bujqësisë dhe nëpërmjes këtij sektori, edhe ekonomisë së këtyre vendeve, me qëllim arritjen e stadit të duhur. Shqipëria përfiton nga dy projekte të mëdha për bujqësinë, të financuar nga BE: fondet IPA dhe IPARD.

Programi i fondeve IPA ka nisur që në vitin 2012 dhe deri më tani, janë lëvruar 23.3 milionë euro në projekte të ndryshme, që kanë të bëjnë me zhvillimin rural, sigurinë ushqmore, laboratorë për veterinarinë, nxitjen e prodhimit, mbështetje për agrikulturën dhe peshkimin.

Ndërsa programi i fondeve IPARD kap në total vlerën e 71 milionë eurove. Muajin e kaluar, Ministria e Bujqësisë iu bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë për të përfituar financime, të cilat do të jenë të fokusuara për fermat, përpunimin e mishit, verën dhe sigurinë ushqimore.

 

 

FONDET E BE PËR BUJQËSINË

 

IPA                 23.3 milionë euro

IPARD            71.0 milionë euro

 

TOTALI          94.3 milionë euro

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet