Klubi i mendimit ekonomik

Dikur ambient universitar, por ja si është katandisur ish-filiali i UT-së në Kukës

Flutura Tota, Ekonomix.al

Godina e ish-filialit të fakultetit të Ekonomisë, të Universitetit të Tiranës, në qytetin e Kukësit, është degraduar tërësisht, duke u kthyer në një godinë ku mbizotërojnë ferrat, mbeturinat, por edhe zhgarravinat.

Fotot që shihni, i përkasin ambienteve të jashtme të kësaj godine, e cila për më shumë se 7-vite i shërbeu qindra studentëve, të cilët përfunduan arsimin e lartë, të nivelit Bachelor, të tre degëve: Infermieri, Gjuhë e Huaj dhe Administrim Biznes.

Situata e kësaj godine është një këmbanë alarmi, se shumë shpejt ajo mund të rrënohet, duke u kthyer në një godinë pa vlerë, për shkak të abandonimit që i kanë bërë institucionet e shtetit.

E vetmja dritë në fund të tunelit, është një llampë, e cila ndriçon gjatë gjithë 24 orëve, ku duket se është drita që kërkon ndriçimin e atyre që mund të bëjnë diçka, për mosshkatërrimin e kësaj godine, që përpara se të ishte ambient universitar, ka qenë ambient shëndetësor.

Filiali i Universitetit të Tiranës në Kukës u çel në vitin 2007 me një numër të kufizuar studentësh. Vit pas viti, numri i tyre erdhi në rritje, ndërkohë që në vitin 2014, Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi mbylljen e tij.

Banorët e këtij qyteti, por edhe Hasit, Tropojës dhe Pukës, të cilët studionin në këtë filial, ngritën zërin për rihapjen e tij, madje edhe bashkitë dhe Këshilli i Qarkut, por ky vendim nuk u rishikua.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet