Klubi i mendimit ekonomik

Detajet e buxhetit 2019, Ahmetaj: Rritje pagash për 65 mijë të punësuar, ulim taksat

Vetëm pak orë pas votimit në Kuvend të buxhetit të vitit 2019 si dhe ndryshimeve në Paketën Fiskale, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka bërë të ditura detajet e buxhetit të 2019.

Gjatë një deklarate të gjatë për mediat, pasditen e vonë të kësaj të hëne, Ahmetaj tha, se fokusi i buxhetit është rritja e pagave për 65 mijë të punësuar në arsim, shëndetësi, diplomaci, drejtësi, polici dhe ushtri.

“Lajmi i mirë është rritja e pagave ku përfitojnë rreth 65 mijë të punësuar. Tek shëndetësia kemi rritje të pagave me 10%, ku përfitojnë 460 mjekë dhe mbi 13 mijë infermierë. Tek Arsimi, ku rritja e pagës per arsimtarët do shkojë deri në 40%. Tek Mbrojta kemi një rritje të konsiderueshme që shkon në 20% dhe prek mbi 6 mijë ushtarakë. Gjithashtu edhe tek policia që përfitojnë nga rritja e pagave me 7%. Për herë të për përfitojnë  edhe diplomatët, pasi rritja e pagës shkon mbi 20%” tha ai.

Sipas tij, rritja ekonomike për vitin e ardhshëm, do arrijë deri në 4%. Nga ana tjetër, numri 1 i financave, theksoi, se lajm i mirë është ai për rritjen e pagës minimale e cila do shkojë në 26 mijë lekë të reja në muaj.

“Lajm i mirë është edhe rritja e pagës minimale në 26 mijë lekë. Buxheti 2019 është buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë me 519 miliardë lekë, afërsisht rreth 500 milionë dollarë, i cili i paraprin rritjes ekonomike të 2019, e planifikuar në nivelin 4.2 -4.3 %, pra një rritje ekonomike 4-fish nga gropa e varfërisë, viti 2013, siç e kemi quajtur. Ky është buxheti i rritjes ekonomike dhe buxheti i uljes së borxhit publik. Vitin tjetër borxhi publik ulet me 3.6 % të PBB dhe shkon në nivelin 65,5 %. Vajtën disa vite radhazi që ulim borxhin public” tha Ahmetaj.

Sa i përket shpërblimit të pensionistëve, për festat e fundvitit, Ahmetaj tha, se pas pak ditësh, qeveria do nisë shpërndarjen e bonusit.

Sa i përket taksave, Ahmetaj deklaroi, se ato do vijojnë të ulen dhe si rezultat i kësaj politike, pra taksave të ulëta, në vend janë hapur 10 691 biznese të reja.

“Numri i bizneseve të reja në Republikën e Shqipërisë është 10691 dhe jemi duke folur për rritjen neto. Pra çregjistrime janë 6 mijë dhe kompani të reja mbi 17 mijë. Neto mbi 10 mijë biznese të reja që qëndrojnë në themel të rritjes ekonomike. Ulim taksën nga 15% në 8%, përfitojnë 11 mijë biznese që taksoheshin me normë 15%. 91% e sipërmarrjeve në vend sot taksohen 0 ose 5%, që nuk ka precedentë krahasimisht në rajon” tha ai.

 Lidhur me varfërinë, Ahmetaj tha, se vlera e ndihmës ekonomike do të rritet me 80 mijë lekë, të vjetra në muaj.

“Do vijojmë të rrisim mbështetjen e përfitimit, për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Rritja e mbështetjes shkon maksimale në 80 mijë lekë të vjetra. Patjetër që është e pamjaftueshme, skema e ndihmës është kalimtare. Mos harroni se dikur në 2012 në vitin e gropës më të thellë të varfërisë kjo shkonte në 60 mijë lekë të vjetra”, tha Ahmetaj.

 Por, Ministri i Financave foli edhe për bonusin e lindjeve i cili do zbatohet nga 1 janari i 2019.

“Lajmi tjetër i mirë është për familjet dhe për ata vogëlushë që lindin. Çdo i porsalindur do marrë si fëmijë i parë një bonus prej 400 mijë lekë të vjetra dhe fëmija i dytë 800 mijë lekë. I porsalinduri i tretë do marrë 1 milion e 200 mijë lek të vjetra. Ky është lajmi tjetër i mirë” tha ai.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet