Klubi i mendimit ekonomik

Deklarimi i të ardhurave, sot skadon afati për të bërë korrigjime

Flutura Tota, Ekonomix.al

Të gjitha subjektet që kanë dorëzuar deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, kanë mundësi që të bëjnë korrigjimet e kërkuara edhe sot, pasi nga nesër ata penalizohen.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka njoftuar gjithashtu, se po sot skadon edhe afati për pagimin e tatimit mbi të ardhurat personale

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të gjithë tatimpaguesit individë, të cilët kanë pasur detyrimin dhe kanë dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave se data 31 Korrik është afati i fundit për të bërë ndryshime/korrigjime në këtë deklaratë.

Gjithashtu data 31 Korrik, është edhe afati i fundit për pagimin e tatimit mbi të ardhurat personale, në rast se ndryshimi i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave rezulton me detyrim për të paguar.

Pas datës kësaj date, individi nuk ka më mundësi të bëjë vetëkorrigjim të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave. Në rast se Drejtoria Rajonale Tatimore vëren pasaktësi në të, atëherë zbatohen dispozitat e ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 115 “Plotësimi i pasaktë i deklaratës tatimore” në të cilën përcaktohet, si më poshtë:

  • Dorëzimi i një deklarate tatimore të pasaktë parashikon penalitet në vlerë të barabartë me 0.06% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë, gjatë së cilës pagesa nuk është kryer. Në asnjë rast, penaliteti nuk llogaritet për një periudhë më të gjatë se 365 ditë kalendarike.
  • Shuma e papaguar e detyrimit tatimor është diferenca ndërmjet detyrimit tatimor, që duhet paguar dhe shumës së tatimit të paguar.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar në informimin e saktë dhe të plotë të tatimpaguesve, me qëllim përmbushjen sa më korrekte dhe në kohë të detyrimeve tatimore.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet