Klubi i mendimit ekonomik

Çfarë po ndodh me borxhin?

Aurora Sulçe, Ekonomix.al

 

Shqipëria është vendi i dytë në rajon me nivelin më të lartë të borxhit. Me 71.6% ne lëmë pas vetëm Malin e Zi, duke e bërë këtë tregues shqetësimin kryesor për ekonominë.

Problemet me borxhin kanë nisur që në fundin e ish qeverisjes Berisha, ku pas ndërrimit të pushtetit u la një stok rreth 70.1% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar (në vitin 2014), për shkak të detyrimeve të prapambetura të biznesit.

Rama u zotua në shlyerjen e këtyre pagesave dhe pas ardhjes në pushtet, lidhi marrëveshjen 3 vjecare të bashkëpunimit me FMN-në, ku në këmbim siguroi 300.5 milionë euro.

Këto para u përdorën, jo vetëm për biznesin, por edhe për të lehtësuar administrimin e financave, duke i siguruar qeverisë paratë që mungonin.

Borxhi kapërceu në mandatin e parë mbi 73% (në vitin 2015), duke u kthyer në rrezik dhe duke e detyruar qeverinë të shkurtonte shpenzimet.

Në pamundësi për të marrë borxh të ri për investime, në mandatin e dytë Rama çeli programin 1 miliard të Partneritetit Publik Privat për infrastrukturën, njohur ndryshe si PPP, kostot e të cilave sërish paguhen nga buxheti për periudha 15 vjeçare por nuk përfshihen në përllogaritjen e këtij treguesi.

Për këtë vit, qeveria parashikon ta ulë borxhin në 69.5% dhe ta reduktojë më tej në 65.4% në vitin 2019. Por kjo shifër nuk jep vlerën reale të borxhit. Pasi në të nuk janë përfshitë përvec kostove të PPP-ve, edhe detyrimet e prapambetura të bashkive dhe rimbursimeve të TVSH-së, si vendimet e gjykatave.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet