Klubi i mendimit ekonomik

Buxheti faktik 2017, përplasje mes Ahmetajt dhe KLSH për borxhin publik

Borxhi publik dhe detyrimet e prapambetura janë bërë shkak për përplasje mes ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku është diskutuar buxheti faktik i vitit 2017.

Ministri Ahmetaj ka theksuar gjatë raportimit, se borxhi publik, në vitin 2017 ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind.

Ai theksoi, se të shifrat janë në përputhje të plotë me ligjin.

“Në vitin 2017 shënuam një ulje të borxhit publik. Ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë, rritja ka qenë 3.84% nga 3.4% në vitin 2016. Buxheti duhet të ulet deri në nivelin 45%. Shifrat janë në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë. Në vitin 2017 treguesi i borxhit publik ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind”.

Përfaqësues të Kontrollit të lartë të Shtetit, konkretisht Manjola Naco, thanë,  se vlera e detyrimeve të prapambetura nuk janë raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2% të PBB.

Naco theksoi, se vlera e stokut të borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliardë lekë, do të ishte në rreth 1,104 miliardë lekë, i cili në raport me PBB do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%.

“Raporti i borxhit është ende larg. Stoku i borxhit paraqitet i nënvlerësuar. Vlera e detyrimeve të prapambetura, si shpenzim i konstatuar, nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2% të PBB, por është raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme. Nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliardë lekë, do të ishte në rreth 1,104 miliardë lekë, i cili në raport me PBB do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%. Nëse marrim në konsideratë edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH në vlerë 11 miliardë lekë borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72% të PBB” tha Naco.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet