Klubi i mendimit ekonomik

Buxheti 2019, ekspertët: Ja ku çalon!

Në një kohë kur komisionet parlamentare janë duke diskutuar projektbuxhetin e vitit 2019, i cili pritet që të mbërrijë në Kuvend të enjten e ardhshme, ekspertët e ekonomisë në vend, flasin për avantazhet dhe disavantazhet e këtij projekt-buxheti.

Ata thonë, se ky projekt-buxhet, që me shumë gjasë pritet të marë votat e Kuvendit, ka shumë disavantazhe për qytetarët, investitorët, ata që preferojnë të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri etj.

Nga ana tjetër, ata listojnë edhe avantazhet e tij, që kanë të bëjnë kryesosht me: Kujdesin ndaj ekuilibrave makroekonomikë, për borxhin publik, për ta ulur atë në nivelin 60%.  Ka korigjime për taksën progresive, që ulet nga 23 deri në 18%, ka rritje pagash për disa kategori, ka favorizime që i bëhen biznesit të madh, për dividentin.

Ardian Civici, ekspert ekonomie

Buxheti për vitin 2019 është shumë i rëndësishëm, pasi gjejnë zgjidhje dy elementë: politikat fiskale, që kanë të bëjnë me taksat, dhe politikat buxhetore, që kanë të bëjnë me investimet dhe shpërndarjen e parave.

Aspektet pozitive: Ka në fokus kujdesin ndaj ekuilibrave makroekonomikë, për borxhin publik, për ta ulur atë në nivelin 60%.  Ka korigjime për taksën progresive, që ulet nga 23 deri në 18%, ka rritje pagash për disa kategori, Ka favorizime që i bëhen biznesit të madh, për dividentin.

Buxheti nuk është i shpërndarë në disa investime të vogla por financon disa investime të mëdha në infrastrukturë,që kanë nevojë të financohen e të mbarojnë.

Disavantazhet e buxhetit: Duhet mbështetje më e madhe për arsimin dhe shëndetësinë. Buxhetit nuk i vëmë dot një emër, pasi përpiqet të zgjidhë aty ku mundet shumë element pa pasur linjë të qartë strategjike që do financohet me përparësi.  Kjo është sëmundje e vjetër. Buxheti ska strategji afatgjatë, por përputhet me projekte që dalin rrugës.

Lehtësirat e paketës fiskale nuk janë të shumta, por synojnë koorporatat dhe biznesin e madh, duke ulur dividentin dhe ulur TVSH-në dhe trajtimin e biznesit të vogël, kufiri i të cilave është rritur. Kjo është bërë për ta formalizuar biznesin e vogël.

TVSH-së po i bëhen çarje të mëdha, sa më shumë preket ai bëhet më vështirësisht i menaxhueshëm. Të ardhurat, ka një optimizëm  nga qeveria për të ardhurave të planifikuara. Ministria e Ekonomisë e Financave ka menduar ti kompensojë me rritjet ekonomike të gjitha uljet e bëra, duke e shoqëruar  me uljen e informalitetit.

Mendoj, se problemin e kemi pasur me realizimin e të ardhurave, më shumë se sa me mosrealizimin e investimeve.

Në 30 qershor do jenë zgjedhjet dhe sa herë ka zgjedhje, ai që preket më shumë është buxheti dhe ligji i ri organik i buxhetit ka bërë disa kufizime, shpresoj që ky ligj të zbatohet siç duhet dhe mendoj se nuk do lejojë përdorimin e buxhetit për efekt elektoral.

 

Bujar Bendo, ekspert ekonomie

Ndryshimet e paketës fiskale nuk e përmirësojnë klimën e biznesit në vend. Paketa fiskale e vitit 2019 nuk është ndonjë risi, por rutinë e çdo viti. Qeveria nuk ka hartuar politika të reja fiskale, afatgjate dhe ska rregullime ligjore se si biznesi do veprojë në 3-4 vitet e ardhshme.

Është folur për lehtësim të barrës tatimore,  por barra është e shtuar dhe gjendja e biznesit pavarësisht treguesve, ku situata e bizneseve nuk është e mirë.

Paketa ka sensin pozitiv, por nuk  besoj se ka treguar apo tregon se klima e biznesit do përmirësohet apo është përmirësuar.

Ndryshime të paketës fiskale ka avantazhe: Dividenti, nga 15% bëhet në 8%, ulja e tatimit të pagës nga 130 mijë në 180 mijë, pra rritja e kufirit, ulja e akcizës për ambalazhet plastike. Disavantazhet: Ka rritje të akcizës së duhanit e paketave, ska përafrim me direktivën 6 për aplikimin e TVSH apo përafrim me legjislacionin e BE

Për dividentin, ulja është pozitive, por dispozita për uljen e tatimit do aplikohet vetëm për vitin 2019. Tatimi të paguhet për fitimet e vitit 2019 brenda gushtit dhe përfitimet e mbartura deri në shtator. Ka efekt në buxhet por edhe çlirim për shoqëritë  e për formalizimin e bilanceve. Lehtësimi është bërë vetëm për  2019  dhe është provizore. Kjo nuk është e drejtë, pasi kudo në çdo vend biznesi kërkon që normat e kapitalizimit të biznesit të vijnë drejt zeros. Do të çlironte kapitale dhe do rriste investimin. Efekti është vetëm për vitin që vjen dhe është kthim mbrapsht.

Ulja e kufirit të pagës, nga 130 deri në 180, ka efekt vetëm për 13% të diferencës. 26 mijë – deri në 30 mijë lekë është efekti vjetor që do i bëhet klasës së mesme që ka paga të larta. Nuk ka efekte.

Ndryshimet për akcizën e duhanit, janë ndryshime të programuara dhe korrekt.

Ligji i TVSH është për tu shkruar dhe për tu përshtatur, ky ligj ka bërë 20 vite dhe nuk ka një ligj të ri të integruar dhe të plotë. Nëse ka ndryshime të tilla, asnjëherë skemi për të qenë të qëndrueshëm ,të programuar e planifikuar për të ardhmen.

Nuk dua të besoj që fryma e ndryshimeve në paketën fiskale ka raste që mund të vihet në dyshim, por ka dritëhije për raste të veçanta.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet