Klubi i mendimit ekonomik

BSH e shpall prioritet, Hotel Dajti përfundon brenda dy vitesh

Rikonstruksioni i Hotel Dajtit, objektit nën pronësi të Bankës së Shqipërisë do të përfundojë brenda dy vitesh. Institucioni mbikëqyrës bankar e ka përcaktuar si një prioritet në “Strategjinë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2018-2020” përfundimin e këtij objekti, që do të përdoret si ambiente për punonjësit e Bankës Qendrore. “Përfundimi me sukses i rikonstruksionit të ish-Hotel “Dajtit” do të bëjë të mundur akomodimin në kushte optimale të personelit të Bankës së Shqipërisë, për një periudhë afatgjatë, duke siguruar njëkohësisht proceset e punës së institucionit dhe ruajtjen e vlerave historike kulturore të ndërtesës”, theksohet në dokumentin e publikuar nga BSH.

Akuzat për aferë
Blerja e Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë, në maj të vitit 2010 me vlerë 4.1 miliardë lekë (rreth 30 milionë euro) u shoqërua me akuza të forta politike. Në atë periudhë, institucioni mbikëqyrës banker drejtohej nga ish guvernatori Ardian Fullani. Blerja u konsiderua një formë që qeveria dhe Banka Qendrore gjetën për të financuar buxhetin e shtetit të asaj periudhe, në kushtet e mungesës së të ardhurave.
Zyrtarisht institucioni mbikëqyrës bankar e shpjegoi vendimin për blerjen e Hotel Dajtit me nevojat e BSH-së për zgjerim të ambienteve. Për shumë kohë, tek Hotel dajti nuk u krye asnjë ndërhyrje.

Rruga e gjatë drejt rikonstruksionit
Banka e Shqipërisë nisi rikonstruksionin e hotel Dajtit, duke publikuar vitin e kaluar procedurat e ndjekura për tenderin, por dhe për ndryshimin e fondit të financimit të këtij projekti. Në deklaratën që BSH shpërndau për mediat thuhej se në vitin 2011 është miratuar Procedura e prokurimit për rikonstruksionin e ndërtesës së ish hotel Dajtit. Përzgjedhja e projektuesit u realizua, duke konsideruar edhe eksperiencën me rikonstruksionin e ndërtesës qendrore të Bankës së Shqipërisë. Përsa i përket fondeve shtohet se në dhjetor të vitit 2011, Këshilli Mbikqyrës miratoi fondin prej 16 milionë eurosh për rikonstruksionin e godinës vendim i marrë mbi bazën e projekt zbatimit të prezantuar nga projektuesi dhe të kontrolluar nga Banka e Shqipërisë. Gjatë vitit 2013, fondi pësoi rritje, si rezultat i ndryshimeve në projektin teknik bazuar në strukturën e objektit.

Mbas kësaj, fondi prej 18 milionë euro u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës në maj të vitit 2013 dhe kontrata u zgjat me tre vite. Në tetor 2016 Banka publikoi në gazetën ndërkombëtare “Financial Times” njoftimin për shprehje interesi. 10 kompani iu përgjigjën njoftimit, prej të cilave u ftuan 7.

Banka e Shqipërisë saktëson se Fondi për kontratën bazë dhe shtesat për rikonstruksionin e ndërtesës ishte në vlerën 15.8 milionë euro. Ndërsa, konkursi ndërkombëtar është aplikuar vetëm për përzgjedhjen e projektit për rikonstruksionin dhe jo për punimet e rikonstruksionit. Gjatë vitit 2015-2016, Banka e Shqipërisë kërkoi një rishqyrtim  të gjitha kostove, dhe në përfundim, fondi u ul në 16 milionë euro.

Tashmë punimet për rikonstruksionin e godinës legjendare afër qendrës së Tiranës kanë nisur. BSH ka kohë maksimumi 2 vjet për të përfunduar godinën, sipas afateve që i caktuar vetë.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet