Klubi i mendimit ekonomik

Bode për Këshillin Mbikëqyrës së BSH, flet Braçe: Jo çdo propozim, miratohet

A do të votojnë deputetët socialistë emrin e ish ministrit demokrat të Financave, Ridvan Bode si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë? Propozimi i kryeministrit Edi Rama nuk do të jetë i lehtë për t’u kaluar në komisionin parlamentar të Ekonomisë.

Erjon Braçe, kryetar i komisionit deklaron se emrat që janë propozuar, nuk do të thotë se janë zgjedhur.

“Gjithsecili që vjen në komision është kandidat. Nqs jeni mësuar me faktin që ai që propozohet u bë e keni gabim. Në këtë komision ka ndodhur që janë rrëzuar edhe 20 kandidatë për institucione të rëndësishme.

Vlerësim për asnjë individ unë nuk kam. Vlerësimin e bën komisioni dhe më pas, deputetët me votë në parlament. Mos më kërkoni të shprehem për njerëz që do dëgjohen në komision ekonomie”, ka deklaruar Braçe.

Aktualisht, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka 6 vende vakantë. Kjo do të thotë se përveç 3 emrave të propozuar nga kryeministri, Kuvendi duhet të propozojë 3 kandidatë të tjerë.

Kryetari i komisionit të Ekonomisë, Brace thotë se ka zhvilluar një takim me nënkryetaren e komisionit, demokraten Jorida Tabaku, por ende nuk kanë dalë emra konkretë.

“Po është e vërtet unë dhe Znj.Tabaku si drejtues të këtij komisioni jemi takuar. Por në asnjë rast, as nga ajo, as nga unë nuk kemi folur për emra, qofshin të së majtës, qoftë dhe për emrat që vijnë nga deputetë të djathtë”, është shprehur Braçe.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ndodhet aktualisht në ngërç. 6 anëtarëve të tij, Elisabeta Gjonit, Ela Golemit, Dhori Kules, Petraq Milos, Arben Malajt dhe Denada Priftit iu ka përfunduar mandati. Kjo e bën të pamundur mbledhjen e Këshillit, që është organi vendimarrës për politikën monetare.

 

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet