Klubi i mendimit ekonomik

Biznesi i shqetësuar për situatën politike. Pasoja te ekonomia

Biznesi po ndjek me vëmendje zhvillimet politike në vend. Konfindustria është shprehur zyrtarisht se ndryshimet e fundit të kabinetit qeveritar janë të pamjaftueshme për të bërë të mundur tejkalimin e gjendjes së vështirë ekonomike dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm.

Sipas industrialistëve, ndryshimet në emra ministrash, duhet të shoqërohen me analizat sektoriale dhe dhënien e zgjidhjeve strategjike tërësore për përmirësimin në thelb të politikave ekonomike, financiare, fiskale të deritashme.

Konfindustria vlerëson se janë mjaft shqetësuese vlerësimet e Bankës Botërore dhe FMN për rënie të ritmeve të rritjes së prodhimit të përgjithshëm kombëtar për vitin 2019 në nivelin e 3.6-3.7% nga 4.3-4.5% i paraqitur nga qeveria shqiptare.

“Konfindustria vlerëson, se ekonomia shqiptare po shkon me shpejtësi drejt ngurtësimit të plotë si pasojë e mungesës së konkurrencës dhe monopolizimit sidomos në sektorët strategjikë të ekonomisë si karburantet, financat, bankat, portet, aeroportet, infrastruktura, energjia, etj.

Pasojë e drejtpërdrejtë janë çmimet më të larta të karburanteve, energjisë për bizneset, kredidhënies, shërbimeve aeroportuale, portuale, etj. në Rajon, cilësi e dobët shërbimesh publike, arsim, shëndetësi,etj”, thekson Konfindustria.

Sipas industrialistëve, vonesat në vendimarrje do të sjellin goditje të rëndë të prodhimit vendor, papunësi, rrënim të nivelit të jetesës, që janë shkak për largime masive dhe revolta qytetare me përmasa, që mund të shkojnë deri në rrezikim të qëndrueshmërisë shoqërore dhe institucionale të vendit.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet