Klubi i mendimit ekonomik

Bizneset tërhiqen nga kreditë, presin fundin e vitit

Bizneset nuk po tregohen aktive për të investuar apo edhe për të pasur likuiditete të tepërta gjatë ushtrimit të aktivitetit të përditshmë. Banka e Shqipërisë ka konstatuar në vrojtimin e fundit të Aktivitetit Kreditues se gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, të gjitha llojet e bizneseve janë paraqitur të tërhequra nga huatë.

Një sjellje që dëshmon për një situatë aspak të mirë jo vetëm të sektorit, ku ato ushtrojnë aktivitet, por edhe të ekonomisë në tërësi.

“Kërkesa për kredi u raportua më e ulët nga një tremujor më parë, si ajo e bizneseve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe kërkesa e bizneseve të mëdha. Edhe në prizmin e qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa rezultoi më e ulët, si për kreditë për investime, ashtu dhe për likuiditete”, theksohet në vrojtimin e BSH-së.

 

Sistemi bankar pret që situata të ndryshojë në tremujorin e fundit të vitit. Bankat parashikojnë rritje të kërkesës për kredi nga të gjitha llojet e bizneseve.

“Në tremujorin e fundit të vitit, bankat presin kërkesë të gjallëruar në të gjitha kategoritë e biznesit. Kërkesa më e lartë nga ana e bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2018, pritet të shfaqet si për kredinë me qëllim investimi, ashtu edhe për atë me natyrë likuiditeti”, theksohet në raport.

Banka e Shqipërisë evidenton se faktorët e perceptuar nga ana e bankave si përcaktues të kërkesës më të ulët për kredi ishin: nevoja më e ulët për financimin e investimeve fikse, si edhe inventarëve e kapitalit qarkullues; financimi me burimet e brendshme të vetë biznesit; besimi i biznesit; si dhe situata ekonomike dhe perspektiva e saj.

Niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si edhe nevojat për rifinancimin e borxhit ishin dy faktorët e perceptuar si nxitës të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet