Klubi i mendimit ekonomik

Bizneset dhe qytetarët, të trembur nga borxhet. BSH: Kanë oreks të ulët për kredi

Individët dhe bizneset kanë ulur kërkesën për kredi. Situata e përgjithshme e ekonomisë së vendit, por edhe bilanceve të tyre duket se po dikton “një oreks më të ulët për borxh”, sic konstaton edhe Banka e Shqipërisë në Deklaratën e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2017.

Në këtë dokument institucioni mbikëqyrës bankar ka analizuar situatën kredimarrëse të inidvidëve dhe bizneseve, huatë e marra dhe kthimin e tyre. “Pozicioni neto kreditor i individëve është rritur në kushtet e rritjes më të shpejtë të depozitave në valutë, ndërsa pozicioni neto debitor i ndërmarrjeve është ulur, për shkak të rritjes më të shpejtë të depozitave në Lek.

Në terma vjetorë, ndryshe nga prirja gjashtëmujore, individët shfaqin një ngushtim të lehtë të pozicionit kreditor me kontribut nga pozicioni kreditor në monedhën vendase. Ndërsa, ndërmarrjet regjistrojnë sërish ngushtim të pozicionit debitor, në sajë edhe të rënies së kredisë në monedhë të huaj”, vlerëson BSH.

Tek individët, rritja e kredisë gjatë pjesës së dytë të vitit 2017 është realizuar pothuaj vetëm në Lek dhe cilësia e kredisë është përmirësuar në të dyja monedhat. Raporti i kredive me probleme për individët ka zbritur me 2.6 për qind kundrejt fundit të vitit të kaluar, duke shënuar nivelin 7.6% në fund të vitit 2017.

Për ndërmarrjet, BSH konstaton se portofoli i kredisë ka shënuar një rënie të lehtë vjetore, e diktuar nga largimet e kredive të humbura nga bilancet e bankave, kryesisht në valutë. Si rezultat, në strukturën e stokut të kredisë për ndërmarrjet, pesha e kredisë në monedhën vendase është rritur.

Edhe për ndërmarrjet, cilësia e kredisë është përmirësuar ndjeshëm gjatë periudhës. Raporti i kredive me probleme për ndërmarrjet, zbriti në nivelin 16.9% në fund të vitit, rreth 6 për qind më pak se një vit më parë.

Për të vlerësuar në mënyrë më të plotë gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve dhe të ndërmarrjeve, Banka e Shqipërisë kryen dy vrojtime të posaçme me frekuencë gjashtëmujore, në bashkëpunim me Institutin e Statistikave.

Për periudhën, përgjigjet e ndërmarrjeve të mëdha e të mesme tregojnë për një përmirësim të aksesit të tyre në financim, ndërsa për ndërmarrjet e vogla ky vijon të jetë një proces më i vështirë. “Në përgjithësi, si ndërmarrjet ashtu edhe familjet tregojnë se kanë aktualisht një oreks të ulët për të marrë borxh”, thekson Banka e Shqipërisë.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet