Klubi i mendimit ekonomik

Bimët mjekësore, teknologjitë alternative për të nxitur prodhimin dhe eksportin

Bimët mjekësore janë zëri i dytë më i rëndësishëm në eksportet bujqësore shqiptare, me një vlerë që kalon 28 milionë euro dhe me 100 mijë familje rurale të punësuara.

Por sfidat me të cilat përballet ky sektor janë të mëdha. Për këtë arsye, RisiAlbania, një projekt inovativ, i financuar nga Qeveria Zvicerane, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në bashkëpunim me Albanian Food Industry (AFI) organizojnë një takim biznesi mbi teknologjitë alternative të tharjes për bimët mjekësore dhe aromatike (BMA).

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë aktorët kryesorë të sektorit të BMA-ve si grumbullues, përpunues dhe eksportues, përfaqësues të kompanive shqiptare të paketimit të BMA-ve, përfaqësues të industrisë së vendit me potencial për prodhimin e furrave të tharjes si edhe atyre rajonale (kompani nga Kosova dhe Serbia) që prodhojnë furra tharje për BMA-të.

Gjithashtu, në këtë takim merr pjesë Z. Grigor Gjeçi nga Minsitria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili do të informojë pjesëmarrësit në takim për mundësitë që ofron skema IPARD për sektorin e BMA-ve, si edhe përfaqësues të RisiAlbania dhe AFI. 

Industria e bimëve mjekësore aromatike (BMA) mundëson punësimin e rreth 100,000 mijë familjeve rurale në zonat më të varfëra të vendit, të cilat sigurojnë të ardhurat kryesore nga aktiviteti i vjeljes dhe grumbullimit të BMA-ve.

Ky sektor është kontribuesi i dytë më i madh i eksporteve bujqësore të Shqipërisë. Rreth 95 % e prodhimit të përgjithshëm të BMA-ve eksportohet, duke përfaqësuar 20 % të vlerës së eksporteve bujqësore të vendit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2016 janë eksportuar 13, 275 ton bimë mjekësore me një vlerë prej 3.5 miliard lekë (rreth 28 milion EUR). Në Shqipëri operojnë rreth 35 kompani të shtrira në të gjithë qarqet e vendit, të cilat merren me përpunimin dhe eksportin e BMA-ve.

Edhe pse një ndër sektorët më potencialë të eksporteve dhe bujqësisë shqiptare, ai përballet me një serë sfidash të cilat janë pengesë për rritjen e vlerës së produktit.

Nga intervistat e AFI-t me aktorë të zinxhirit të vlerave të BMA-ve, vjelës, grumbullues, përpunues dhe eksportues doli në pah se ndër problemet kryesore të sektorit është sigurimi/plotësimi i standardeve të cilësisë dhe sigurisë së produktit.

Ky problem lidhet me: 1) teknikat e papërshtatëshme të pas-vjeljes; 2) kushtet e papërshtatëshme në qendrat e grumbullimit me mungesë të pajisjeve tharëse që garantojnë cilësinë e produktit; dhe 3) ambalazhi i papërshtatshëm i BMA-ve.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet