Klubi i mendimit ekonomik

Bimët mjekësore, teknologji alternative për zhvillimin e sektorit

Albanian Food Industry (AFI)  në bashkëpunim me RisiAlbania, një projekt inovativ, i financuar nga Qeveria Zvicerane, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), organizuan një takim biznesi mbi teknologjitë alternative të tharjes për bimët mjekësore dhe aromatike (BMA).

Në këtë aktivitet morën pjesë aktorët kryesorë të sektorit të BMA-ve si grumbullues, përpunues dhe eksportues, përfaqësues të kompanive shqiptare të paketimit të BMA-ve, përfaqësues të industrisë së vendit me potencial për prodhimin e furrave të tharjes si edhe atyre rajonale (kompani nga Kosova dhe Serbia) që prodhojnë furra tharje për BMA-të, si dhe përfaqësues të RisiAlbania dhe AFI.

Gjithashtu, në këtë takim mori pjesë Z. Grigor Gjeçi nga Minsitria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili prezantoi për pjesëmarrësit në takim mundësitë që ofron skema IPARD për sektorin e BMA-ve.

Industria e bimëve mjekësore aromatike (BMA) mundëson punësimin e rreth 100,000 mijë familjeve rurale në zonat më të varfëra të vendit, të cilat sigurojnë të ardhurat kryesore nga aktiviteti i vjeljes dhe grumbullimit të BMA-ve. Ky sektor është kontribuesi i dytë më i madh i eksporteve bujqësore të Shqipërisë. Rreth 95 % e prodhimit të përgjithshëm të BMA-ve eksportohet duke përfaqësuar 20 % të vlerës së eksporteve bujqësore të vendit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2016 janë eksportuar 13.275 ton bimë mjekësore me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë (rreth 28 milionë euro). Në Shqipëri operojnë rreth 35 kompani të shtrira në të gjithë qarqet e vendit, të cilat merren me përpunimin dhe eksportin e BMA-ve.

Edhe pse një ndër sektorët më potencialë të eksporteve dhe bujqësisë shqiptare, ai përballet me një serë sfidash të cilat janë pengesë për rritjen e vlerës së produktit.

Nga intervistat e AFI-t me aktorë të zinxhirit të vlerave të BMA-ve, vjelës, grumbullues, përpunues dhe eksportues doli në pah se ndër problemet kryesore të sektorit është sigurimi/plotësimi i standardeve të cilësisë dhe sigurisë së produktit.

Ky problem lidhet me: 1) teknikat e papërshtatëshme të pas-vjeljes; 2) kushtet e papërshtatëshme në qendrat e grumbullimit me mungesë të pajisjeve tharëse që garantojnë cilësinë e produktit; dhe 3) ambalazhi i papërshtatshëm i BMA-ve.

Duke pasur parasysh këto sfida të sektorit, ky takim biznesi, me pjesëmarrjem të kompanive të BMA-ve dhe kompanive që ofrojnë teknologjitë më cilësore të tharjes dhe paketimit, prezantoi për kompanitë e BMA-ve alternativa të reja të tharjes që janë thelbësore për rritjen e vlerës së BMA-ve dhe përmirësimin e performancës së sektorit.

Potenciali i këtij sektori është më i lartë nëse investojmë në teknologji të reja dhe përmirësojmë cilësinë e produktit. – tha kreu i AFI-t, Alban Zusi.

Ai shtoi që mbështetja për këtë sektor nuk është vetëm ndihmë që i jepet biznesit, por edhe një mision kombëtar, pasi nxit punësimin e të rinjve në zonat rurale, ku e vetmja mundësi të ardhurash janë BMA-të. Gjithashtu, duke u dhënë mundësi punësimi familjeve të zonave rurale, kjo kontribuon në mbajtjen e fuqisë punëtore në vend.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet