Klubi i mendimit ekonomik

Bien sigurimet vullnetare. Në rënie edhe pagesat e dëmeve nga kompanitë

Shqiptarët sigurojnë makinat, por jo jetën dhe shëndetin e tyre. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë për një thellim të kësaj tendence, ku primet nga sigurimi i detyrueshëm motorik ose ndryshe nga sigurimi i automjeteve janë rritur, ndërsa primet nga sigurimet vullnetare janë në rënie.

Sipas AMF-së, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.08% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.8% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.13%.

Të dhënat e detajuara të periudhës tregojnë se gjatë tremujorit të parë të 2018-ës, primet e sigurimit të automjeteve, që është i detyrueshëm më ligj arritën rreth 2.2 miliardë lekë, ose 6.48% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2017.

Përsa i përket primeve të  sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-mars 2018 arritën rreth 1.3 miliardë lekë, ose 3.38% më pak se në tremujorin e paë të vitit të kaluar. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 10.50% krahasuar me periudhën janar-mars 2017.
Në rënie paraqiten edhe pagesat e dëmeve. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kompanitë kanë paguar 22.03% më pak dëme se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 805 milionë lekë, apo 14.61% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet