Klubi i mendimit ekonomik

BERZH si INSTAT, flet për rritje ekonomike 4% nga rreshjet

Angelo Haruni, Ekonomix.al

 

Rritja ekonomike e Shqipërisë është ndihmuar këtë vit nga rreshjet, që kanë shtuar ndjeshëm prodhimin e energjisë. BERZH ka arritur në të njëjtin konkluzion, si Instituti i Statistikave, teksa ka përmirësuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit.

Në raportin e fundit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim flet për një rritje ekonomike prej 4% këtë vit për ekonominë shqiptare nga 3.8%, që ishte parashikimi i mëparshëm.

Ky rishikim i pritshmërive bazohet në ecurinë e deritanishme të ekonomisë shqiptare dhe në shifrat e rritjes të dy tremujorëve të parë.

“Investimet kanë pasur një kontribut pozitiv në rritje, edhe pse ndërtimi i projekteve madhore të energjisë, si invetimi norvegjez në hidrocentralin mbi lumin e Devollit dhe gazsjellësi TAP vijuan të ngadalësohen, pas arritjes së pikut të investimit në gjysmën e parë të 2017.

Prodhimi i elektricitetit ishte i fortë, furnizuar nga rreshjet e shumta, veçanërisht gjatë tremujorit të dytë, pas një thatësie të zgjatur në gjysmën e dytë të 2017-ës, e cila kishte sjellë importe të shtrenjta energjie” theksohet në raportin e BERZH-it.

Përfundimi i dy investimeve madhore, TAP dhe Devollit kanë shkaktuar shqetësim te institucionet financiare ndrëkombëtare lidhur me kontributin e tyre në rritjen ekonomike, duke qenë se gjatë dy viteve të fundit kanë qenë ndër gjeneruesit kryesorë të saj. Në kushtet kur janë drejt përfundimit, FMN e Banka Botërore kanë rekomanduar qeverinë që të gjejë projekte të tjera, që do të sjellin të njëjtin impakt në ekonomi.  Në këtë mënyrë, rritja ekonomike nuk do të varet nga faktorë spontanë, si kushtet atmosferike.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet