Klubi i mendimit ekonomik

Auditimi Ligjor: Fabula e hidhur e një profesioni të shpërfillur padrejtësisht

Opinion nga Olindo Shehu, CPA , Partner për Taksat dhe Çështjet Ligjore

Në fillim të viteve 90-të, muzikanti dhe këngëtari i famshëm i rrymës rrok Lenny Kravitz nxorri këngën hit “Rock and Roll is Dead” (Rock and Roll-i ka vdekur), një këngë kjo që nuk u prit aspak mirë nga kolegët e tij artistë të asaj kohe.

Perceptimi i përgjithshëm për situata të tilla të ngjashme është që shpeshherë artistët, në përpjekje për të fituar sa më shumë vëmendje publike, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, madje dhe t’i kundërvihen asaj që ata përfaqësojnë.

Në rastin konkret, Lenny Kravitz e arriti vëmendjen publike të dëshiruar, dhe jo vetëm. Nëpërmjet këngës, titullin e të cilës ai vetë e konsideroi rastësor dhe “një lojë zbavitëse”, pati një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një debati të shëndetshëm për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj rryme muzikore.

Edhe pse unë nuk kam aspak në plan të ndjek hapat e Lenny Kravitz e të dal e të këndoj “Auditimi Ligjor ka vdekur”, si një ekspert kontabël me shumë vite eksperiencë në Shqipëri dhe përtej saj, mendoj se profesioni i auditimit ligjor në Shqipëri është në një situatë kritike. E nëse Lenny Kravitz e kishte si një lojë zbavitëse e rastësore, ajo çfarë po ndodh me auditimin ligjor në Shqipëri nuk më lejon ta trajtoj këtë temë në mënyrë zbavitëse apo rastësore.

Auditimi ligjor si profesion i mirëfilltë përkon me revolucionin e parë industrial në fund të shekullit të 18-të, edhe pse procedura të ngjashme me ato të auditimit janë përdorur shumë më herët se ajo kohë. Gjatë këtyre dy shekujve, auditimi ligjor ka pësuar po aq ndryshime sa ka pësuar edhe vetë natyra e të bërit biznes.

Lundrimi nga revolucioni i parë industrial deri në revolucionin e katërt industrial, të cilin po e përjetojmë tani, ka sjellë ndryshime të vazhdueshme në aplikimin dhe monitorimin e procedurave audituese gjithnjë e më shtrënguese, në mënyrë të tillë që transparenca financiare, të cilën procesi i auditimit ligjor promovon, të mos cënohet.

Ndërkohë që në Shqipëri ka ndodhur krejt e kundërta. Dhe kjo sepse në Shqipëri vetëm për transparencë që nuk jemi të interesuar. Kur askush nuk mban përgjegjësi për çfarëdolloj dëmi financiar të shkaktuar në Shqipëri, dhe kur çdo dëm i shkaktuar mbulohet nga taksat e popullit, për çfarë na duhet transparenca? Për çfarë na duhet ky shërbim i gjatë, i lodhshëm, të cilit pothuajse prej një dekade i janë zbehur edhe përfitimet?

Po në fund të fundit, cili është qëllimi i auditimit ligjor dhe cilat janë përfitimet që vijnë prej tij?  Qëllimi thelbësor i auditimit ligjor është auditimi i pasqyrave financiare të një entiteti në përputhje me standardet e auditimit, dhe dhënia e një opinioni objektiv në lidhje me përgatitjen dhe paraqitjen e këtyre pasqyrave në përputhje me standardet e zbatueshme të kontabilitetit dhe raportimit financiar (qofshin këto standarde kombëtare apo ndërkombëtare).

Nga ky shërbim, në mënyrë direkte apo indirekte, përfitojnë aksionarët/ortakët e subjektit që auditohet, institucionet financiare që kreditojnë këtë subjekt, shteti shqiptar që vjel tatimet e taksat nga ky subjekt, punonjësit që marrin pagat nga ky subjekt, investitorët që kanë interes të investojnë tek ky subjekt, etj.

Përmes auditimit ligjor, zotëruesit apo drejtuesit e subjekteve të ndryshme kanë mundësinë të identifikojnë në kohë gabime të paqëllimshme ose të qëllimshme në përmbajtjen apo paraqitjen e pasqyrave financiare, gabime të cilat shpeshherë mund të krijojnë pengesa në vendimarrjet strategjike, dhe jo vetëm. Në bazë të opinionit të audituesit ligjor, investitorët e jashtëm apo institucionet huadhënëse marrin vendime të mirinformuara për të akorduar fonde investimi.

Përmes auditimit ligjor, administrata tatimore mund të informohet mbi çështjet fiskale apo ligjore që mund të vijnë si pasojë e gabimeve materiale në pasqyrat financiare. Përmes auditimit ligjor, shteti Shqiptar mund të arrijë një kuptueshmëri më të saktë dhe më të thellë të ecurisë ekonomike të vendit, stabilitetit në punësim, dhe ecurisë së secilit sektor ekonomik. Lista e shembujve vazhdon por, në tërësi, procesi i auditimit ligjor promovon transparencën financiare të një entiteti në dobi të të gjitha palëve të interesuara.

Në Shqipëri kolegët auditues, fatkeqësisht, po shtrëngohen të kryejnë më shumë rolet e përgatitësit të pasqyrave financiare dhe fiskalistit për llogari të subjekteve, se sa atë të audituesit. Në kushtet ku risku më i madh me të cilin subjektet përballen është ai i rivlerësimeve e penaliteteve nga ana e administratës tatimore dhe pak kush pyet nëse pasqyrat financiare janë të audituara, edhe drejtuesit e subjekteve i kushtojnë impenjimin minimal financiar dhe kohor këtij procesi.

Vazhdojnë akoma disa shoqëri serioze të kërkojnë të auditohen sepse e shikojnë vlerën e shtuar për qëllime të tyre të brendshme dhe janë edhe disa shoqëri serioze auditimi të cilat vazhdojnë akoma të ofrojnë shërbimin e auditimit cilësor, por kaq nuk mjafton për të mbajtur profesionin gjallë. Auditimit ligjor nuk po i jepet rëndësia dhe relevanca e duhur prej shtetit shqiptar dhe kjo po e çon profesionin drejt vdekjes.

Deri në fund të vitit 2017, institucionet huadhënëse në Shqipëri janë lejuar të miratojnë miliona euro kredi duke u mbështetur mbi pasqyra financiare të lëshuara nga shoqëritë përkatëse të cilat kanë qenë tërësisht të pakontrolluara nga një palë e tretë e pavarur dhe objektive siç dhe është audituesi ligjor. Këto kredi janë miratuar në bazë të letrave të plotësuara me shkrim dore, letra bakalli, fjalë goje, por absolutisht jo në bazë të pasqyrave financiare të audituara.

Po në fund të fundit, për çfarë shërben një i tretë në këtë mes? Shoqëria përftoi atë kapital për të cilin kishte nevojë, banka në anën tjetër arriti të rrisë portofolin e saj, palët rezultojnë të dyja fitimtare. Sa e ka jetëgjatësinë ky përfitim i ndërsjelltë? Deri në pikën kur shoqëria mbetet mbrapa me shlyerjen e detyrimeve pasi ndoshta ka paraqitur të dhëna financiare jo të sakta dhe të bazuara në një plan biznesi të parealizueshëm. Me të drejtë banka, për të mbrojtur pozicionin e saj, ndërhyn dhe konfiskon aktivet (pronat) e biznesit.

Dhe ja ku mbërrijmë në një fund të hidhur për të dyja palët – banka tashmë mbart në bilancin e saj aktive që nuk janë lehtësisht të likuidueshme, ndërkohë që biznesi nuk ka kapacitete financiare të mjaftueshme të ecë përpara dhe deklaron faliment. Por hallet nuk mbarojnë me kaq! Kjo histori nuk ka as heronj e as kusarë! Fundi i hidhur gëlltitet nga ata që humbasin punën si rezultat i falimentimit të shoqërisë, nga familjet e tyre dhe nga ekonomia në tërësi pasi askush nuk mban përgjegjësi për këtë mesele!

Në vitin 2009 u miratua ligji për auditimin ligjor të pasqyrave financiare, por në këtë dekadë që ky ligji ka qenë në fuqi, zbatimi i tij ka lënë shumë për të dëshiruar. Shembulli i lartpërmendur, ndonëse mund të ketë tingëlluar si një përrallë, është projektimi i realitetit deri para një viti.

Vetë shteti shqiptar nuk ka përdorur shërbimet e një audituesi ligjor të pavarur që të sigurojë transparencën dhe saktësinë e pasqyrimit të pozicionit financiar të këtij vendi. Populli ka të drejtë të pajiset me informacion të saktë dhe objektiv në lidhje me situatën financiare të instancave qeveritare që e drejtojnë.

Madje, edhe në tenderat publike për auditimin e pasqyrave financiare të ndërmarrjeve shtetërore që kualifikohen për të qenë subjekt auditimi, shteti i jep përparësi komponentit “çmim” kështu që çmimi më i ulët fiton tenderin.  Se çfarë cilësie zotëron shoqëria audituese fituese është një pikëpyetje e madhe, po ç’rëndësi ka kjo? Në fund të fundit, një copë letre lëshojnë të gjithë audituesit!

Dhe si qershia mbi tortë, nëse një entitet plotëson kushtet për të qenë subjekt auditimi por nuk e respekton ligjin, nuk përballet me asnjë penalitet. Nuk po shkoj në Amerikë për të bërë krahasimin sepse do të ishte një krahasim jo-relevant, por në Kosovë, ku një shkelje e tillë dënohet me 20,000 Euro penalitet.

Kjo është diferenca midis një shteti që kërkon të promovojë shërbimet profesionale të auditimit ligjor dhe shtetit tonë që është duke e marrë këtë profesion nëpër këmbë. Me të drejtë, edhe drejtuesit e shoqërive të cilat operojnë në Shqipëri nuk mund t’a vlerësojnë ashtu siç duhet diçka që vetë ligjvënësi nuk është duke e respektuar për sa i takon.

Dhe efekti këtu shkon zinxhir. Shteti shqiptar, së pari, me çdo gjë që ka bërë ose nuk ka bërë deri më sot ka treguar se nuk e vlerëson këtë shërbim dhe, së dyti, nuk vendos asnjë penalitet nëse shoqëritë që kanë detyrimin për t’u audituar nuk auditohen.

Rrjedhimisht, shumica e drejtuesve të shoqërive që operojnë në Shqipëri dhe që nuk shohin një vlerë të shtuar në këtë shërbim, nuk janë të gatshëm të paguajnë më shumë se sa disa çmime simbolike, thjesht për të thënë që po auditohen. Për pasojë, shoqëritë e auditimit ulin kostot në mënyrë që të mbijetojnë dhe në këtë mënyrë cilësia e shërbimit të auditimit shkon në një nivel që lë për të dëshiruar.

Pavarësisht se kjo bie ndesh me interesat e mia si ekspert kontabël dhe si drejtues i një prej 4 shoqërive audituese më të mëdha në Shqipëri, pjesa dërrmuese e shoqërive në Shqipëri “pretëndojnë” se janë audituar; pjesa dërrmuese e audituesve ligjorë “pretendojnë” se e kanë përmbushur rolin e tyre si auditues dhe, për të mbyllur këtë rreth vicioz, edhe palët e interesuara (qeveria, investitorët, publiku, ortakët) “pretendojnë” se i kanë marrë në konsideratë opinionet e audituesve ligjorë.

Në një vend ku ekonomia informale raportohet të jetë në nivelin 30-40% të PPB, profesioni i auditimit është duke u marrë nëpër këmbë. Në një kohë kur teknologjia po përshpjeton si kurrë më parë normën e ndryshimeve edhe në profesionin e auditimit ligjor; në një kohë kur shtetet e zhvilluara, por jo vetëm, po luftojnë që entitetet ligjore t’iu nënshtrohen jo një, por dy auditimeve ligjore të pavarura; auditimi ligjor në Shqipëri fatkeqësisht është vite drite larg atij realiteti.

Shteti shqiptar duhet të marrë masa për të nxitur zbatimin e një procesi që përbën një nga shtyllat kryesore të një ekonomie transparente dhe të sigurt. Nuk është nevoja që të shpikim rrotën nga fillimi, absolutisht jo. Ne mund të mësojmë nga praktika të ngjashme dhe efikase nga vendet fqinje për ta çliruar profesionin e auditimit nga kjo shpërfillje e padrejtë.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet