Klubi i mendimit ekonomik

Asnjë lek shtesë për shëndetësinë. Buxheti më 2019 sa ai i këtij viti

Fondet e akorduara shëndetësisë në buxhetin 2019 janë thuajse të njëjta me ato të akorduara këtë vit. Bëhet fjalë për 60.8 miliardë lekë që janë planifikuar në projektbuxhetin, që ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare. Ndërkohë që shuma e akorduar në buxhetin e këtij viti ka qenë 60.1 miliardë lekë.

Në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese raportoi për buxhetin ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu. Ajo deklaroi para kolegëve të mazhorancës, pasi opozita mungoi në sallë, se buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin e ardhshëm do të jetë 75 miliardë lekë, me rritje rreth 5% krahasuar me këtë vit.

Në këtë shumë, ministrja përfshiu edhe mbi 13 miliardë lekë që vijnë nga kontributet shëndetësore, si dhe 2 miliardë lekë që do të jepen si çek për bebet. E zhveshur nga këta dy elementë, buxheti faktik për ministrinë mbetet thuajse e njëjtë me atë të këtij viti.

Në fondet e alokuara për Ministrinë e Shëndetësisë parashikohet që gjatë vitit të ardhshëm të rehabilitohen 100 qendrave shëndetësore, me një vlerë investimi prej 300 milionë lekë. Gjithashtu, do të përfundojë edhe spitali i kirurgjisë me një investim prej 8 milionë euro.

Ndërsa referuar mbështetjes sociale për herë të parë do të krijohet fondi social prej 150 milionë lekë, si dhe do të mbështeten ndërmarrjet sociale me një vlerë prej 200 milionë lekë.

Në buxhetin e ministrisë është parashikuar edhe fondi prej 1 miliard lekësh që do të shkojë për rritjen me 7% të pagave për mjekët.

 

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet