Klubi i mendimit ekonomik

Anti informaliteti, Tatimet “mësyjnë” te bizneset në risk

Administrata Tatimore ka nisur kontrollin dhe verifikimin e të gjitha subjekteve në risk, me qëllim evitimin e fenomenit të informalitetit.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, qëllimi i zbatimit të këtij plani është parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë në fushën e tatim-taksave, si dhe marrja e masave administrative përkatëse ndaj shkeljeve tatimore.

Fokusi kryesor i punës së strukturave hetimore do të jetë kontrolli në zonat me aktivitet të lartë ekonomik, në subjektet më të frekuentuara gjatë periudhës së festave, si dhe në tregje e transport.

Objektivat kryesorë të tij janë:

  • Garantimi i përmbushjes vullnetare dhe zbatimi i legjislacionit tatimor;
  • Kontrolle në tatimpagues që rezultojnë me rënie të xhiros krahasuar me një vit më parë;
  • Faturimi dhe lëshimi i kuponit tatimor;
  • Identifikimi i tatimpaguesve që përdorin pajisje jo-fiskale në vendbiznes.

Sipas Tatimeve, plani operacional do të shtrihet për zbatim në qendrat e qyteteve kryesore në të gjithë territorin e vendit : Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër, Sarandë.

Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përmes strukturave të saj, ka nisur zbatimin e planit operacional për periudhën 1 nëntor -31 dhjetor 2018.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet