Klubi i mendimit ekonomik

Amazon “dëbohet” nga New York, braktis planet për zyrën qendrore

Gjigandi i tregtisë Amazon do të tërhiqet nga plani për të ngritur zyra qendrore në New York. Anulimi vjen pas kundërshtimeve të hasura nga politikanët vendas.

Sipas kompanisë, përkushtimi për të ndërtuar zyra të reja kërkon marrëdhënie pozitive dhe bashkëpunuese me shtetin dhe zyrtarët e zgjedhur, që duhet të ofrojnë këtë mbështetje në terma afatgjatë.

Kompania kishte shpallur se do të krijonte 25 mijë vende të reja pune dhe se do të ndërtonte zyrat në Queens. Por propozimi u përball me kritika të forta, për shkak të 2.8 miliardë dollarëve në subvencione që i ishin premtuar Amazon në një marrëveshje të negociuar në mënyrë të fshehtë me guvernatorin e e New York, Andrew Cuomo dhe kryebashkiakun Bill de Blasio.

Të tjerë shprehën shqetësimin se këto mijëra vende të reja pune do të mbipopullonin zonën dhe do të ngarkonin sistemin e transportit.

Ndërkohë kompania u shpreh se do të vazhdojë normalisht me planet për zgjerimin me 17 zyra korporate dhe qendra teknologjike në SHBA dhe Kanada.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet