Klubi i mendimit ekonomik

Alarmi i UKT: Uji që tregtohet përmes boteve, jo i sigurt!

Flutura Tota, Ekonomix.al

Ndërmarja e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë ngre alarmin, se uji që tregtohet në bote nuk është i sigurtë për konsumatorin.

Dule parë fenomenin në rritje të marjes së ujit në pika të pakontrolluara dhe kushteve higjenike jo të duhura, në bote, UKT ka nisur një aksion, në bashkëpunim dhe me policinë e shtetit, për të bllokuar këto bote.

Sipas UKT-së, pas vëzhgimeve të kryera në zonën e Lanabregasit, ku edhe dyshohej se kryhet mbushja e këtyre boteve, janë zbuluar vendet ekzakte ku ndodh proçesi i mbushjes së tyre.

 UKT konstaton, se në mënyrë të paligjshme këta tregtues ndërhyjnë në linja kryesore të transmetimit të ujit.

Përmes këtyre linjave uji drejtohet për në depot e ujësjellësit të Tiranës për tu trajtuar sipas të gjitha parametrave dhe specifikave të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 379 dt.25.05.2016.

Pra, UKT thekson, se uji i vjedhur duke dëmtuar këto linja, është ende i patrajtuar.

Për më tepër kushtet higjenike të këtyre auto-boteve nuk kontrollohen nga asnjë institucion i specializuar për këtë proçes, duke qënë se asnjë subjekt privat nuk ka liçensë për të shitur ujë me shumicë në treg.

Gjatë aksionit i cili vijon 24 orë pa ndalesë,UKT thotë, se janë konstatuar 2 pika mbushje përgjatë tubacionit kryesor, pozicionuar thellë në pyll, si dhe janë shoqëruar 5 drejtues auto-botesh të cilët nuk ishin të pajisur me leje dhe liçensa për tregtim uji me shumicë.

UKT i bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, duke mos blerë nga subjekte të paliçensuara të cilët tregtojnë ujë të patrajtuar dhe jashtë standartit!

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet