Klubi i mendimit ekonomik

Ahmetaj zotohet për uljen e borxhit dhe transparencë me tenderat

Flutura Tota, Ekonomix.al

Borxhi publik i Shqipërisë do të bjerë në 67% në fund të vitit 2018 ndërsa vitin e ardhshëm, pritet që ai të ulet në 65%.

Ky është zotimi që ka marë ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili është shprehur optimist, se të dhënat e ekonomisë tregojnë, se borxhi publik vijon duke rënë.

“Këtë fundvit, borxhi publik i ekonomisë shqiptare do zbresë në 67%, ndërsa në fund të vitit 2019 borxhi do bjerë në 65%. Ky është zotimi ynë, i cili bazohet në të dhënat e ekonomisë sonë, e cila po reagon mjaft mirë” tha Ahmetaj.

Ai shtoi, se qeveria do të ketë më shumë transparencë, sa i përket tenderave.

“Një tjetër synim i yni, është rritja e transparencës me tenderat publik. Çdo dikaster do të bëjë transparente të gjitha procedurat e prokurimeve” shtoi ai.

Sipas institucioneve ndërkombëtare, ecuria e borxhit publik në Shqipëri në vite ka qenë: 70.1% në vitin 2014, 73.1% në vitin 2015, 72.4% në vitin 2016, 71.5% në vitin 2017. Për vitin 2018, parashikimi është që borxhi publik të ulet në 68.7%, në vitin 2019 në 66.4% ndërsa në vitin 2020 borxhi të ulet në 63.5%.

Sa i përket rritjes ekonomike, në vitin 2014 ishte 1.8%, në vitin 2015 ishte 2.2%, në vitin 2016 ishte 3.4% ndërsa në vitin 2017 ishte 3.9%. Për këtë vit, parashikohet që rritja ekonomike të jetë 4.2%, në vitin 2019 4.3% ndërsa në vitin 2020 rritja të arrijë në 4.4%.

Sa i përket borxhit publik në rajon, Shqipëria ka 71.5% të GDP, Maqedonia 39.2%, Mali i Zi 66.5%, Serbia 63.7%, Bosnje Hercegovina 36.8% ndërsa Kosova 15.8%.

Lini një koment

Email i juaj nuk do publikohet